Arbëri

Rishikohen dispozitat e kodeve që pengojnë punën e gjyqtarëve

Ministria e Drejtësisë do t’i rishikojë dispozitat e kodeve të cilat nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë vlerësuar si pengesa në punën e tyre, me qëllim të avancimit të infrastrukturës ligjore dhe luftimin e dukurive negative, para së gjithash korrupsionin, krimin e organizuar dhe terrorizmin.

Kështu ka thënë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në punëtorinë e radhës të Grupit Punues për rishikimin e Drejtësisë Penale, transmeton kp.

Ministria e Drejtësisë ka pranuar një numër të konsiderueshëm të komenteve, të cilat do të jenë objekt diskutimi, në këtë punëtori e cila do t’i vazhdojë punimet edhe nesër.

Punëtoria është organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe është mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Në këtë punëtori po marrin pjesë përfaqësues nga zyra e BE-së, OSBE-së, gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues nga Agjencia Kundër Korrupsionit, shoqëria civile, Policia e Kosovës, si dhe ekspert vendorë dhe ndërkombëtarë.