Arbëri

Tirana heq qeset plastike, i zëvendëson me të letrës

Descriptive Text

Furrat e bukës në Tiranë do të heqin nga përdorimi qeset plastike, duke i zëvendësuar ato me qese letre. Bashkia e Tiranës nënshkroi dje një marrëveshje mirëkuptimi me Shoqatën e Prodhueseve të Bukës, Pastiçierisë dhe Brumërave, e cila ka 250 anëtarë, me anë të së cilës bien dakord për mospërdorimin e qeseve plastike, duke sjellë një reduktim të tyre me 1 milion në ditë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se përmes kësaj marrëveshjeje hapet një kapitull i ri dhe një fitore e Tiranës për të pasur një qytet më të pastër.

“Është më shumë se një fitore e drejtpërdrejtë në betejën për të pasur një Tiranë më të pastër. Bashkimi i shoqatës me 250 furra buke dhe pastiçierie me nismën tonë redukton 1 milion qese në ditë në Tiranë. Kjo bën krenar secilin në shtëpinë e vet sot, është diçka konkrete dhe të prekshme, pra që ne në Tiranë e ndjejmë nga mënyra sesi është qyteti sot, më i pastër. Me firmën e sotme, ne hapim një kapitull të ri. Mezi pres që kjo të ndikojë edhe tek të tjerët që në të gjithë Tiranën ta shpallin qytetin më avangard në Ballkan. Nuk ka qytet realisht sot në Ballkan që ta ketë bërë këtë, fillimisht me supermarketet dhe me shitësit e bukur. Ju garantoj që do të na kopjojnë”, tha Veliaj, duke deklaruar se synimi është reduktimi total i përdorimit të qeseve plastike.

Kreu i Bashkisë deklaroi se kryeqyteti shqiptar prodhonte çdo muaj 100 ton qese, duke sjellë probleme edhe me përmbytjet. Veliaj tha se reduktimi i përdorimit të qeseve plastike, është një histori suksesi që bën krenar të gjithë. “Tirana ka qenë një qytet që çdo muaj prodhonte 100 ton qese. Pjesa e mbetjeve dhe e mbeturinave, përfshi këtu dhe projektin e qeverisë për të kthyer në energji mbetjet, siç ndodh në Elbasan, duhet të fillojë që nga reduktimi. Fakti që kemi reduktuar ndjeshëm 100 ton çdo muaj, është një histori suksesi që do ju bëjë të gjithëve të ndiheni krenar”, tha ai.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se të premten do të jetë rikthehet nisma “Dita pa makina”, e cila synon që të sensibilizojë qytetarët për përdorimin e mjeteve alternative me qëllim uljen e ndotjes në kryeqytet.

Një tjetër nismë e cila do të ndikojë në rritjen e pastërtisë së ajrit dhe uljen e ndotjes, do të jetë edhe Pylli Orbital. Kryebashkiaku deklaroi se gjatë muajve në vijim do të mbillen një numër i konsiderueshëm pemësh, të cilat do të përmirësojnë cilësinë e jetës në qytetin tonë.