Arbëri

Nxënës të Hagjajve të Gjilanit ndjekin mësimet në bodrumin e xhamisë

Rreth 55 nxënës të shkollës fillore dhe asaj të mesme të ulët “Agim Ramadani” po zhvillojnë procesin mësimor në bodrumin e xhamisë në fshat, pavarësisht se ajo nuk i plotëson kushtet, raporton KTV.

Zyrtarë nga shkolla thonë se në të kaluarën kanë bërë vazhdimisht kërkesa për largimin nga objekti i vjetër. Në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan thonë se ka përfunduar procesi i tenderimit dhe pritet ndërtimi i shkollës.

Nxënësit e 8 paraleleve të shkollës “Agim Ramadani” në fshatin Hagjaj të Gjilanit po zhvillojnë orarin mësimor në një mjedis aspak të zakonshëm.

Që nga maji i këtij viti, nxënësit janë zhvendosur në bodrumin e xhamisë së fshatit, pasi shkolla në të cilën mbanin procesin mësimor thonë të ishte tejet e dëmtuar.

E ketë vendim ata thonë ta kenë marë në bashkëpunim me komunën dhe banorët e fshatit.

Sipas mësimdhënësve pasi ambienti nuk i plotëson kushtet është mjaft e vështirë mbajtja e orëve mësimore .

Aliu tregon se vitin e kaluar drejtori i shkollës u pati premtuar për zgjidhjen e shpejtë të këtij problemi, gjë që nuk ka ndodhur.

Zëvendësdrejtori i shkollës, Xhelil Rrahmani thotë të kenë bërë çdo herë kërkesë në Drejtorin e Arsimit për një objekt të ri për këto 8 paralele.

Por, Drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit, Bardhyl Syla, arsyeton refuzimin e kërkesave me mungesën e buxhetit.

Ndërsa për stinën e dimrit Syla thotë se do të gjejnë në zgjidhje, pasi bodrumi nuk ka sistem për nxehje e për objektin e ri nuk e di se kur do të fillojë.

Deri në gjetjen e një zgjidhjeje, nxënësit do të vazhdojnë mësimin në këtë ambient.