Arbëri

KCSS nesër prezanton gjetjet e projektit: Përballja me ekstremizmin e dhunshëm në Kosovë

Descriptive Text

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS) ka paralajmëruar për nesër konferencën përmbyllëse dhe prezantimin e gjetjeve të projektit “Përballja me ekstremizmin e dhunshëm në Kosovë”. Sipas paralajmërimit, me këtë rast do të publikohet raporti hulumtues me titull “Premtimi i parajsës dhe hisja në ndërtimin e “kalifatit” – rrëfim mbas rrëfimi”.

Konferenca do të mbahet më 21 shtator, duke filluar prej orës 10.00-11.40, në Hotel “Swiss Diamond” në Prishtinë.

Ky projekt është zbatuar në 11 komuna të Kosovës, si: Kaçanik, Hani i Elezit, Ferizaj, Prizren, Klinë, Deçan, Prizren, Pejë, Gjilan, Gjakovë dhe Kamenicë në periudhën prej shtatorit 2016 deri në shtator të vitit 2017. Projekti thuhet të jetë më i madhi i këtij lloji në Kosovë, me një mbulueshmëri shumë të gjerë në nivel lokal në Kosovë. Ai është zbatuar në partneritet të ngushtë ndërmjet QKSS-së dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Krahas kësaj, do të prezantohen sfidat e komunitetit lokal, të të rinjve, mediave dhe organizatave të grave në raport me ballafaqimin me ekstremizmin dhunshëm dhe radikalizmin në Kosovë. Gjithashtu, do të prezantohen edhe rekomandimet e nxjerra, të cilat ofrojnë zgjidhje se si duhet t’i qasemi problemit të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në Kosovë.

Në këtë konferencë do të bëhet prezantimi i gjetjeve të raportit hulumtues i cili ka arritur të analizojë disa nga narrativët kryesorë të përdorura nga “Shteti Islam” dhe organizatave tjera terroriste me qëllim të rekrutimit të qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në konfliktin e Sirisë dhe Irakut si pjesë e organizatave terroriste. Për më tepër, raporti ofron rekomandime konkrete se si duhet të përballemi me ekstremizmin e dhunshëm, si dhe mënyrat më të mira të hartimit të kundër-narrativëve ndaj organizatave terroriste.