Arbëri

Prioritet i AKB-së e MPMS-së, punësimi i nga një anëtari të secilës familje

Një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve kanë takuar ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçicën, ku kanë diskutuar lidhur me situatën socio-ekonomike dhe mundësitë për përmirësimin e mjedisit ekonomik për mirëqenie më të mirë sociale.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se janë partnerë tradicionalë me këtë institucion dhe bashkëpunimi i ndërsjellë duhet të vazhdojë me qëllim të identifikimit të sfidave të përbashkëta dhe përmirësimin e tyre.

Shahni i tha ministrit se vazhdimisht kanë realizuar dhe vazhdojnë të realizojnë projekte dhe hulumtime të natyrave të ndryshme.

Ai përmendi hulumtimet e tregut të punës, koston e punës, berzën e punësimit e të tjera, të cilat tha se janë me interes jo vetëm për institucionet vendëse e ndërkombëtare, por edhe për bizneset, punonjësit e të tjerët.

Sipas tij, AKB-ja është e gatshme të vazhdojë realizimin e këtyre projekteve të cilat ndikojnë në përmirësimin e statistikave më të sakta dhe të punësimeve.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka nevojë për informata të sakta nga terreni në mënyrë që të hartojë politika më avancuese për punësim, për të cilën programi juaj qeverisës për politikat sociale është nga më të avancuarit deri më tash”, tha Shahini.

Skender Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se do të jetë i hapur për bashkëpunim dhe përkrahje nga dhe për të gjithë sidomos për ata që kanë iniciativa e projekte konkrete që ndikojnë në përmirësimin e gjendjes nga sektorët që ka përgjegjësi ministria.

AKB, në këtë komunikatë, thotë se ministri Reçica ka deklaruar që “AKB-ja është një organizatë e fuqishme dhe që ndihma e tyre karshi sfidave që ka ministria është e mirëpritur”.

“Kemi përpara shumë sfida që kërkojnë përmirësime dhe gjatë mandatit tim fokus kryesor do të jetë punësimi sidomos i familjarëve që nuk kanë asnjë të punësuar”, tha ministri.

Ai shtoi se mision do të kenë që të punësojnë nga një anëtar të secilës familje që nuk ka asnjë të punësuar dhe menjëherë do të nisë të hulumtojë për këtë.

Reçica tregoi se në vend ka shumë familje që marrin asistencë sociale e në anën tjetër edhe punojnë dhe kjo formë duhet të ndalet. Ai kërkoi përkrahje në këtë aspekt edhe nga AKB-ja e partnerët e saj për të realizuar këtë synim i cili do të jetë i përbashkët për të gjithë ata që kanë për qëllim uljen e papunësisë në vend.

Prioritet i dy palëve, sipas AKB-së, ishte punësimi i nga një anëtari i së secilës familje të papunësuar.

Ministri Skender Reçica, tha se prioritet do të jetë edhe vetëpunësimi, ku ka mjaft të rinj të arsimuar dhe që presin përkrahjen apo dorën e shtetit.

“Për këtë kemi biseduar edhe me donatorët e huaj të cilët kanë shprehur gatishmëri që të mbështesin këto iniciativa me projekte konkrete”, citohet të ketë thënë ministri.