Arbëri

Fondi për Kosovën ndihmon në rikthimin e besimit tek institucionet vendore

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri priti në takim përfaqësuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, të udhëhequr nga udhëheqësja e ekipit për Kosovë, Sarah Olmstead dhe koordinatori nacional, Petrit Selimi, të cilët i njoftoi me prioritet në fushën e sundimit të ligjit.

Udhëheqësja e ekipit të Sfidave të Mijëvjeçarit në Kosovë, Sarah Olmstead, është shprehur e lumtur që fondi i ndarë për Kosovën do të ndihmojë në krijimin e një të ardhme më të mirë dhe rikthimin e besimit në institucionet vendore, e në veçanti në fushën e drejtësisë.

Koordinatori nacional i Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit pranë Zyrës së Kryeministrit, Petrit Selimi, tha se nga fundi i vitit do të fillojë të krijohet një fondacion, i cili do të derdhë mjete për Qeverinë e Kosovës, e në veçanti në fushën sundimit të ligjit.

Kujtojmë se Kosova nga ky fond ka përfituar sivjet 49 milionë dollarë nga 500 milionë sa ka pasur mundësi, mirëpo si arsye kryesore për mos-marrjen e fondit të plotë ka qenë mungesa e luftimit të korrupsionit në vend.