Arbëri

Fjalimi i Trumpit në OKB kritikohet nga shumë vende – Rusia i thotë t’ia “kthejë Kosovën Serbisë”

Ai që disa e përshkruan si fjalim i “urrejtjes” i Donald Trumpit në OKB është kritikuar prej vendeve anëtare të organizatës, të kthyera në shënjestrën e mërisë së presidentit amerikan.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë e përfshiu Iranin në grupin e regjimeve të vogla mashtruese, e tha se Shtetet e Bashkuara do ta shkatërrojnë krejtësisht Korenë e Veriut, nëse cenon Amerikën apo aleatët e saj.

Shefi i Komitetit të Dumës ruse për Marrëdhënie me jashtë, Leonid Kalashnikov, pas fjalimit të Trumpit, ka kërkuar pikërisht nga ai dhe nga Perëndimi që “t’ia kthejnë Kosovën Serbisë”.

Sipas “Pravda-s” serbe, Kalashnikov ka thënë po ashtu se deklaratat e Trumpit që të respektohet sovraniteti i shteteve, s’janë asgjë veçse cinizëm.

“Tingëllojnë cinike thirrjet që të respektohet sovraniteti nga presidenti i dhunës e cila ka shkatërruar tërë rendin botëror. Të nisemi nga Kosova. Kush e shkatërroi Jugosllavinë? Amerikanët e kanë nisur këtë rrugë dhe e kanë hapur kutinë e Pandorës. Ndarja e Kosovës u bë pa asnjë referendum dhe dhunshëm. Nëse Trump është kapur për Krimenë, do të duhej ta dinte se gadishulli iu bashkua Rusisë me dëshirën e popullit për referendum dhe pa asnjë viktimë apo luftë civile”, ka thënë ai.

Kalashnikov shtoi: “Shtetet e Bashkuara kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare, e tani tentojnë që të tjerëve t’u mbajnë leksione. Është cinizmi më i keq i mundshëm. T’ia kthejnë fillimisht (Serbisë) Kosovën”.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohamad Javad Zarif u shpreh se “fjalimi injorant i Trumpit i takon kohës së Mesjetës, e nuk e kishte vendin në OKB”. Kritika erdhën edhe nga Kuba, e indinjuar nga mënyra me të cilën kreu i administratës amerikane iu drejtua Kombeve të Bashkuara, duke përmendur edhe emrin e saj.

“Sa i takon incidenteve të supozuara, që kanë prekur zyrtarë amerikanë dhe familjarë të tyre në Havanë, delegacioni ynë e theksoi se Kuba i përmbush me vendosmëri detyrimet e saj lidhur me mbrojtjen e diplomatëve. Në vazhdën e deklaratave shpërfillëse, të papranueshme dhe ndërhyrëse, që bëri presidenti Trump në Asamblenë e OKB-së, delegacioni kuban protestoi fort dhe qartë”, tha Jose Antonio Napoles, moderator i “TV Kuban”.

E pakënaqur mbeti dhe ministrja e Jashtme suedeze, Margot Wallstrom, që e ndoqi fjalën e Trumpit me krahët e kryqëzuar dhe një vështrim mosbesues. “Ishte fjalimi i gabuar, në kohën e gabuar dhe përpara audiencës së gabuar”, tha ajo për BBC-në.

Presidenti amerikan fshikulloi edhe Venezuelën, duke e cilësuar qeverisjen e saj si një “diktaturë të korruptuar socialiste”, e paralajmëroi se Uashingtoni është i gatshëm të kalojë në veprim. Ministri i Jashtëm venezuelas, Jorge Arreaza tha se “Trump nuk është presidenti i botës. Ai madje nuk arrin dot të menaxhojë as administratën e vet”. Ndërsa kreu i shtetit, Nicolas Maduro e quajti “Hitlerin e ri të politikës ndërkombëtare”.