Ç’ka paraparë Haradinaj gjatë mandatit të tij në krye të Qeverisë

19 shtator 2017 19:09

Shndërrimi i FSK-së në ushtri, zgjidhja e shpejtë e çështjes së shënjimit të kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi, rritje ekonomike prej 5 deri në 7 për qind dhe rritja e pagave janë vetëm disa nga pikat kryesore që kryeministri Haradinaj ka paraparë t’i bëjë gjatë mandatit të tij në krye të qeverisë, raporton KTV.

Programi qeverisës me më shumë se 130 faqe pritet që shpejt të diskutohet nga deputetët e Kuvendit.

Ndërkohë, agjendë e ngjeshur pritet të jetë për legjislativin deri në fundin e këtij viti. Për tre muaj e gjysmë, në Kuvendin e Kosovës pritet të shqyrtohen 38 projektligje.

Kështu e ka paraparë Qeveria e Kosovës me programin e saj legjislativ, të miratuar të hënën nga kabineti qeveritar. Si më i rëndësishmi është projektligji për Forcat e Armatosura të Kosovës, që pritet të shqyrtohet me 30 nëntor të këtij viti nga Kuvendi i Kosovës.

Me planin qeverisës, Haradinaj e ka paraparë që shndërrimi i Forcës në ushtri të bëhet me ndryshime kushtetuese, porse problemi mund të jetë sërish me Listën Serbe, pa votat e së cilës nuk mund të preket kushtetuta e Kosovës.

Projektligji për rishikimin e buxhetit për vitin 2017, i cili do të duhej të bëhej në qershor, tash me qeverinë e re do të bëhet më 25 shtator, ndërsa më 31 tetor është paraparë të shqyrtohet projektligji për Buxhetin për vitin e ardhshëm.

Në planin legjislativ, në mesin e 88 projektligjeve parashihet që në Kuvend të jetë edhe projektligji për Qeverinë e Kosovës, ai për Presidentin e Republikës si dhe projektligji për kryeqytetin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme