Lluka dhe Bahtiri diskutojnë problemet në “Trepçë” dhe KRU “Mitrovica”

Lluka dhe Bahtiri diskutojnë problemet në “Trepçë” dhe KRU “Mitrovica”

19 shtator 2017 13:16

“Trepça” do të bëhet lokomotivë e zhvillimit ekonomik, punësimit dhe rritjes së eksportit në vend.

Ky është synimi i ministrit të ri të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili ka vendosur në prioritetet e tij vitalizmin e “Trepçës”, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik.

Këto synime ai i shpalosi gjatë takimit me të parin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

“Menjëherë do t’i përvishemi punës, do të themelojmë Bordin e Ndërmarrjes që t’i hapim rrugë zhvillimit të qëndrueshëm të ndërmarrjes ‘Trepça’ përmes hapjes së rrugës për investime që janë jetike për zhvillimin e ndërmarrjes dhe mirëqenies sociale të punëtorëve”, i premtoi ministri Lluka kreut të komunës së Mitrovicës, i cili kishte shkuar në Ministri për të shprehur shqetësimet e tij për gjendjen e ndërmarrjeve publike në rajonin e Mitrovicës.

Bahtiri me këtë rast njoftoi Llukën për gjendjen në ndërmarrjet tjera publike në rajonin e Mitrovicës, me theks të veçantë me problemet e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, ku nënvizoi problemet financiare të saj si pasojë e borxheve të mëdha nga mos pagesa e faturave nga qytetarët e pjesës veriore të qytetit.

Lluka dhe Bahtiri janë pajtuar se do të vazhdojnë bashkërisht t’i adresojnë problemet e ndërmarrjeve në fjalë, konform përgjegjësive që kanë institucionet që drejtojnë si dhe realizimin e një vizite sa më parë në Ndërmarrjen “Trepça” për t’u njohur nga afër me punën edhe sfidat me të cilat ballafaqohet punëtorët e kësaj ndërmarrjeje

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

I Mitrovicsi19/09/2017 15:53

Valdrin Lluka është " pronar" i fabrikës për "përpunimin " e këpurdhave të ndërtuar nga B. Pacolli në pjesën e pasme të oborrit të shtëpisë së A. Bahtirit në fshatin e tij të lindjes, në Gushavc të Mitrovicës. Kjo fabrikë me disa punëtorë të punësuar është i vetmi investim prej të gjthë atyre premtimeve ( 15.000 punëtorë , Fabrikë për prodhimin e televizorëve, ngrohje qëndrore pë të gjithë Mitrovicën prej djegjes së bërthamave të kumbullave, etj. etj.) të A. Bahtirit në zgjedhjet e kaluara. E tash zotërinjt e më lartëcekur ja kan msyer Trepçës. Ne Mitrovicasit në zgjedhjet e kaluara u lamë të mashtrohemi nga një matrapaz e i dhamë votën me gjithë fajin tonë. Shpresoj të mos përsëritet ky gabim që pas ndarjes së qytetit tonë ky ka qenë gabimi i dytë më i madhë.

Shto koment

Të ngjashme