Arbëri

Mustafa: Ata që e bllokuan liberalizimin e vizave me kauza të rrejshme, le ta zgjidhin

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka lëshuar akuza në adresë të kundërshtarëve politikë.

Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në faqen e tij në Facebook, në mbrëmjen e së hënës, Mustafa ka thënë se “ata që e penguan liberalizimin e vizave duhet ta ç’pengojnë”.

Mustafa ka shtuar se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është vonuar si rezultat i, siç ka thënë ai, “kauzave të rrejshme politike”.

Shkrimi i Mustafës në Facebook:

Ata që e penguan liberalizimin e vizave duhet ta ç’pengojnë!

1. E kanë Marrëveshjen e dy komisioneve shtetërore, të Kosovës dhe të Malit të Zi;

2. E kanë Raportin e Komisionit Ndërkombëtar të emëruar nga Presidentja Jahjaga

3. E kanë konfirmimin e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se me marrëveshjen e 25 Gushtit 2015 nuk humb territor as Kosova dhe as Mali i Zi, dhe se SHBA e përkrahë këtë marrëveshje;

4. E kanë Raportin e Komisionit Profesional për Matjen e Territorit të Kosovës, në krye me Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i cili Raport konfirmon se me këtë demarkacion Kosova nuk ka humbur asnjë metër katror territor.

I kanë edhe kauzat politike, me të cilat kanë bërë fushatë të dhunshme. Dhe le të zgjedhin. Ose le të aprovojnë dhe amnistojnë kauzat e tyre të rrejshme politike, ose le të aprovojnë këto katër argument të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare, le të hapin rrugën për liberalizim të vizave.