Grupi Koha: Një përgjigje e shkurtër për z. Limaj Foto: Koha / ilustrim

Grupi Koha: Një përgjigje e shkurtër për z. Limaj

18 shtator 2017 22:53

Në një deklarim jashtë sallës së gjykimit, Fatmir Limaj, i akuzuar për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte ministër i Transportit, është cituar të ketë akuzuar edhe mediat e Grupit Koha për raportimin në rastin kundër tij.

Limaj është cituar t’i ketë thënë reporteres së KTV-së: “Boll e keni bo ju e ‘Koha Ditore’, s'keni bo kurgjo, duhet me kërku falje profesionale për këtë flliqësi që e keni bo bashkë me këta. Marre duhet me ju ardhë”.

Si personalitet politik i viteve të fundit, dikur pjesëtar i UÇK-së, më pas anëtar dhe nënkryetar i PDK-së, tani kryetar i partisë në koalicionin qeverisës, Nisma, si dhe ministër në disa Qeveri të Kosovës, përfshirë këtë të renë, ku është në pozitën e zëvendëskryeministrit, gazeta e ndien të udhës t’i përgjigjet publikisht z. Limaj për akuzat që i bën.

Pretendimet e Limajt kundër KTV-së dhe “Kohës Ditore” janë insinuata dhe shpifje.

Gazeta dhe KTV-ja, në raportimet tona për rastin Limaj, që nga fillimi e deri më sot, kemi respektuar standardet më të larta profesionale dhe të paanshmërisë. Çdo informatë të publikuar, gjithmonë e kemi mbështetur me fakte e deklarata të burimeve të identifikueshme dhe dokumenteve apo informatave zyrtare, pjesë të dosjes së hetuesisë.

Në çdo rast, për çdo informatë, kemi kërkuar prononcime dhe përgjigje nga të gjitha palët, përfshirë z. Limaj. Pse z. Limaj ka refuzuar të flasë kur është pyetur, apo edhe të reagojë me kohë, është problem i tij dhe i atyre që e kanë këshilluar si të mbrohet - jo i gazetarëve dhe i medias.

Për më tepër, mënyra sesi z. Limaj ka zgjedhur të nxjerrë pretendimet e veta – duke i adresuar ato para reporterëve që janë të ngarkuar me përcjelljen e gjykimit të tij – është edhe ushtrim i presionit të paligjshëm ndaj gazetarëve.

Prandaj është z. Limaj ai që duhet të kërkojë falje për akuzat e pabaza që i bën në adresë të Kohës.

Si politikan që ka marrë detyrë të lartë qeverisëse, Limaj do të duhej të përmbahej nga sjellja e tillë. Sidomos, meqë edhe ai e di se në rastin e Kohës këto jo vetëm se nuk pinë ujë, por as nuk kryejnë punë.

Grupi Koha

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme