Arbëri

“Gjykata Speciale të merret edhe me krimet që shteti i Serbisë ka bërë në Kosovë”

Descriptive Text

Shoqata “Familja dhe Shpresa” nga Klina, e cila përfaqëson familjarët e viktimave civile nga masakra e Kralanit e vitit 1999, sot i është drejtuar Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me kërkesë publike për të iniciuar në parlamentin vendor plotësimin e ligjit për Gjykatën Speciale për Kosovën (Dhomat e Specializuara) në Hagë, në mënyrë që pos krimeve të pretenduara të individëve të UÇK-së nga prokuroria e kësaj gjykate, kjo gjykatë të merret edhe me krimet e luftës që shteti i Serbisë ka bërë në Kosovë, thotë kumtesa nga kjo shoqatë, transmeton Koha.net.

Serbia dhe kriminelët e saj të shumtë, të cilët ende gjenden të lirë dhe të mbrojtur nga qeveria e shtetit fqinjë, ka masakruar afro 13000 civilë shqiptarë të Kosovës, gjatë luftës sonë për liri dhe pavarësi të viteve 1998-1999, dhe drejtësia ndërkombëtare deri më tash ka dështuar të merret me këto krime lufte ndaj popullit tonë.

“Kërkojmë nga ju, zoti Kryetar, që të përdorni kompetencat kushtetuese (neni 84, pika 6) të postit që mbani dhe të fusni në rendin e ditës të parlamentit të Kosovës plotësimin e këtij ligji gjysmak dhe të hapni rrugën që në këtë gjykatë të gjykohen e ndëshkohen Serbia dhe përgjegjësit serbë për vrasjen e më të dashurve tanë në fshatin Kralan me 4 Prill 1999 dhe të të gjithë civilëve të tjerë të Kosovës gjatë luftës për liri dhe pavarësi”, tha Zana Bytyqi-Geci, përfaqësuese e shoqatës në kërkesën publike drejtuar Kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas saj, tash e pesë muaj shoqata, e cila përfaqëson familjarët e 86 viktimave civile të ekzekutuara nga ushtria e Serbisë në fshatin Kralan, ka bërë disa kërkesa të njëjta tek deputetët e Kosovës, kryetarët e partive parlamentare shqiptare, si dhe kryetari i Parlamentit të Kosovës, por deri më tash asnjë prej tyre nuk u është përgjigjur pozitivisht lidhur me kërkesën e tyre.