Arbëri

Ndonëse ka rritje, Kosova mbetet me numrin më të vogël të të prekurve me kancer në rajon

Sonte në emisionin “Puls” të KTV-së u diskutua për përhapjen e sëmundjes së kancerit në Kosovë.

Ekrem Hyseni, drejtor i Klinikës së Onkologjisë, ka treguar se në botë në vitin 2015 nga kanceri kanë vdekur 8.8 milionë njerëz.

“Kanceri është një sëmundje ku kërkon informata më shumë për të pasur sukses. Lajmërimi me kohë e shpëton personin”, ka thënë Hyseni.

Hyseni shtoi se Kosova ka numër më të vogël të të prekurve më kancer në krahasim me popullatën e njëjtë të shteteve tjera në rajon.

“Kosova në vitin 2013 i ka pasur 700 raste me kancer. Në vitin 2014 770 raste, viti 2015 me 808 raste me kancer ndërsa në vitin 2016 me 1236 raste të reja më kancer. Ka shtim të të prekurve me kancer por prapë e them e kemi numrin më të vogël në krahasim me vendet e rajonit. Nëse marrim shembull Maqedoninë, ku e kemi një popullatë të njëjtë me rreth dy milionë, ne i kemi 30% më pak se Maqedonia të prekur me kancer. Sllovenia i ka dy milionë banorë sikurse Kosova, dhe në vitin 2014 i ka pasur 13 mijë persona me kancer ndërsa ne i kemi 1236 raste. Pra ne ende kemi numrin më të vogël të kancerit”, theksoi Hyseni.

Lindita Rugova, e prekur dhe e shëruar nga kanceri, në “Puls” tha se në vitin 2011 është diagnostikuar me kancer të gjirit, në moshën 36 vjeçe, sa ka qenë nënë e dy fëmijëve.

“Zbulimin e kam bërë vet duke palpuar dhe zbulova disa gjëndra në gji. E zbulova në stadin e mesëm kisha me thënë, menjëherë bëra ndërhyrje kirurgjike dhe pas ndërhyrjes fillova kimioterapi. Unë sot jam shumë mirë dhe në gjendje të shëndetshme. Unë kurrë në jetë nuk kisha besuar që do të prekem nga kanceri por ja që ndodhi dhe e kam tejkaluar me një disiplinë dhe me një përkushtim dhe mjekim të mirë. Si e kam tejkaluar këtë problem? Asnjëherë nuk kam reshtur të flas për sëmundjen dhe nuk e kam ndaluar punën për asnjë moment dhe nuk jam mbyllur me vetveten. Duhet të ketë njeriu besim në vetveten dhe të luftojë dhe mos të dorëzohet”, tha Rugova, raporton Koha.net.

Ajo foli edhe për trajtimin që e ka pasur nga stafi i Onkologjisë në QKUK, duke thënë se infermieret dhe mjekët janë të mrekullueshëm.

“Atje trajtimi është njerëzor dhe jashtëzakonisht shumë profesional, të bën të ndihesh shumë mirë. Unë jam trajtuar në këtë klinikë dhe sot ndihem shumë shëndetshëm dhe e kënaqur me punën e stafit të kësaj klinike, andaj ju bej apel të gjitha grave të bëjnë kontrolle sistematike që të mbrohen nga kjo sëmundje”, theksoi Lindita Rugova.

E ftuara tjetër, Dafina Ademi-Islami, onkologe, tha se duhet të bëhet me dije se kur përmendet kanceri në Kosovë shkon mendja tek vdekja, mirëpo, sipas saj, kjo nuk qëndron andaj duhet bërë kontrolle sistematike vjetore që të prevenohet që në start.

“Kur flasim për kancerin e mushkërive, i cili bashkë me kancerin e gjirit janë më të përhapurit. Mbi 90% të rasteve të kancerit të mushkërive janë duhanpirës, pra disa nga simptomat mund të jenë këto kollitje e vazhdueshme, pështyma me gjak dhe dhembje krahu por mund të mos ketë edhe simptoma fare, pra është edhe shumë vështirë detektohet. Mosha më e rrezikuar nga kanceri i mushkërive është mbi moshën 50 vjeçe, por ka edhe mosha të reja. Natyra biologjike e tumorit në mushkëri është se zhvillohet shumë shpejt”, tha ongologja Ademi-Islami.

Ndërkaq, Ekrem Hyseni, drejtor i Klinikës Onkologjike në QKUK, tha më tej se faktorët që e shkaktojnë kancerin janë rrezatimi ultraviolet, solariumet, pirja e duhanit, ambienti i punës ku përdoren materie kimike, obeziteti, azbesti dhe infeksionet si hepatiti C etj.

“Parandalimi i kancerit mund të bëhet përmes ushqimit me fibra dhe duhet të preventohet përmes ushtrimeve fizike”, u shpreh ai.

Faton Sermaxhaj, onkolog, tha se ajo që duhet të dihet për popullatën e Kosovës është se klinika e Onkologjisë bën trajtimin e sëmundjes së kancerit me të gjitha protokollet botërore, trajtimi me kimioterapi, radioterapi, hormonoterapi, target terapi.

“Kemi furnizim të mirë me barna edhe pse terapitë janë të shtrenjta shumë duke filluar nga 300 deri në 3000 euro për një seancë. Qytetarët duhet të dinë se krejt mjekimet e mundshme kryhen tek ne, pra mos të bredhin pacientët nëpër shtetet tjera dhe të bëjnë shpenzime të majme për terapi e cila ekziston në klinikën e Onkologjisë dhe të cilën terapi mund ta marrin falas, andaj i lus mos të mundohen me sëmundjet e tyre por të vijnë tek ne ku do t’i ndihmojmë me gjitha mjetet që i kanë edhe shtetet tjera”, u shpreh Sermaxhaj.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ekrem Hyseni, u bëri apel kompanive farmaceutike, Agjencisë së barnave, se një ndër pikat e Organizatës Botërorë të Shëndetësisë është qasja në morfinën orale që tha se mungon tek ne.

“Me tableta morfinë do t’i zvogëlohej dhimbja të gjithë atyre që kanë dhimbje të shkallës së lartë, prandaj urgjentisht na duhet morfina për shkak se pacientit në gjendje të rëndë me dhimbje të hatashme ju duhet. Kompanitë farmaceutike, bashkë me agjencinë e barnave, nuk e kanë sjellë këtë tabletë në treg”, deklaroi Hyseni, duke theksuar se sjellja e këtij bari është “urgjente”.