Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, me çka mundësohen shkëmbimet tregtare pa pasur asnjë problem mes të dyja anëve.
Mirëpo, një marrëveshje e tillë nuk po vlen edhe për shtetin e Spanjës, raporton KTV.
Autoritetet e këtij vendi vazhdojnë avazin e kundërshtimit të çdo dokumenti, në të cilin përmendet Republika e Kosovës.
Një veprim i tillë përbën shkelje të rregullave të BE-së, pasi me këtë marrëveshje Kosovës i lejohet të kryejë shkëmbime tregtare me të gjitha vendet e BE-së pa përjashtim.
Një problem të tillë po hasin kompanitë kosovare që ia kanë mësyrë importimit të prodhimeve me origjinë shtazore nga ky vend, anëtar i BE-së.
Burim Piraj është detyruar të paguajë mjete shtesë për të sjellë produktin përmes Francës.
Ai ka kërkuar ndihmën e institucioneve, te të cilat ka kohë që ka bërë kërkesë që t’u ndihmojnë në mënyrë që të mos vazhdohet me këtë gjendje, e cila sipas tij vetëm sa po i rrit kostot e prodhimit.
Një problematikë të tillë pranojnë edhe zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë.
Ata thonë se autoritetet spanjolle nuk po nënshkruajnë certifikatat, të cilat duhet të shkarkohen nga faqja e agjencisë për t’i plotësuar, praktikë që ndodh në të gjitha vendet e BE-së.
Ai thotë se probleme të tilla nuk po hasin edhe me vendet tjera të BE-së që nuk po e njohin Kosovën.
Me gjithë këto probleme, shkëmbimet tregtare me këto vende vazhdojnë në rrjedhën e tyre, pavarësisht problemeve politike.
Të dhënat e Doganës së Kosovës për periudhën janar-shtator flasin për një eksport drejt Spanjës në vlerë prej mbi 276 mijë eurosh, ndërsa import prej rreth 35 milionë, duke dalë e dyta në mesin e 5 shteteve që nuk e njohin vendin tonë dhe me të cilat e kemi këtë shkëmbim tregtar.