Arbëri

Ende nën hetime vdekjet në QKUK

Hetimet lidhur me vdekjet e dyshimta të shtatë shtatorit dhe komplikimi i gjashtë rasteve të tjera në QKUK po vazhdojnë ende.

Të angazhuarit nga ky institucion, inspektorë të farmaceutikës, ata të Ministrisë së Shëndetësisë, Mjekësia Ligjore, si dhe Prokuroria, kanë disa pista të dyshimit, ndërkaq që dyshimin kryesor e kanë te gazi oksid.

Përveç rezultateve të analizave, të cilat po i presin nga Shqipëria pas obduksionit të kryer te pacientët e vdekur, aktorët e përfshirë po presin edhe rezultatet e analizave të mostrave të barnave, si dhe ato laboratorike të toksikologjisë.

Derisa Gjoci ka thënë se nuk bëhet fjalë për katër vdekje, por për dy, ndërsa ka shtuar se në këtë rast nuk bëhet fjalë aspak për neglizhencë të stafit mjekësor.

Sipas tij, është Organi Shqyrtues i Prokurimit, i cili i ka dhënë të drejtë kompanisë që e eksporton këtë lloj të gazit, ndërkaq shton se nuk bën të paragjykohet derisa t’i kenë rezultatet përfundimtare.

Gjocaj ka thënë se edhe Spitali i Gjakovës dhe Gjilanit kanë përdorur të njëjtin gaz, duke mos përjashtuar këtu as spitalet private, të cilat po vazhdojnë të kryejnë operacione.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit ka thënë se këto vdekje deri në rezultatet përfundimtare nuk duhet të paragjykohen.

Maliqi thotë se pacientët ishin me një gjendje të rëndë shëndetësore kur kanë hyrë në operacion.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë thotë se është shumë e shqetësuar me gjendjen e krijuar në QKUK pas rasteve të 4 vdekjeve të dyshimta.

Shoqata kërkon nga ministri i Shëndetësisë të pezullojë personat përgjegjës për kontraktimin e këtyre barnave dhe produkteve mjekësore deri në sqarimin e tyre nga Prokuroria e Shtetit në një afat sa më të shpejtë.

Kjo shoqatë kërkon nga deputetët të angazhohen për thirrjen e një interpelance, për të diskutuar vdekjet serike të pacientëve në spitalet tona.