Arbëri

Halimi: Po vazhdon logjika e mbrapshtë e diskriminuese e shtetit serb ndaj shqiptarëve në Serbi

Presidenti i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Riza Halimi, ka thënë se kryetarja aktuale e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, nuk do të marrë pjesë në Organin e Përkohshëm i cili është themeluar ditë më parë nga qeveria e Serbisë.

Në një bisedë për agjencinë serbe të lajmeve “FoNet”, Halimi ka thënë se një vendim i këtillë është marrë në takimin e djeshëm të organeve më të larta të partisë në Preshevë.

“Për ne është i pakuptimtë veprimi i qeverisë së Serbisë, e cila nuk respekton as ligjet e shtetit të cilin e drejton. Alternativa për Ndryshime, me 11 këshilltarë, ka dy përfaqësues në Organin e Përkohshëm dhe të gjithë ne të tjetër (PVD, Partia Demokratike e Shqiptarëve, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Unioni Demokratik i Luginës), me 27 këshilltarë, kemi po ashtu vetëm dy përfaqësues”, ka thënë Halimi.

Ai mendon se ky vendim është “qartë shkelje e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe e paragrafit 6 të nenit 86, i cili i referohet mënyrës së formimit të Organit të Përkohshëm”.

Halimi ka shtuar se PVD do të shtrojë ankesë në Gjykatën Administrative, por edhe do të shqyrtojë pjesëmarrjen e mëtejshme të deputetit nga kjo parti në parlamentin serb, Fatmir Hasani.

“Nuk presim shumë nga ankesa në Gjykatën Administrative në këto rrethana, por, le të mësohet edhe Qeveria të respektojë ligjin e Serbisë. Në Preshevë as shqiptarët nuk duhet të përjashtohen prej tij. Nëse dëshirojmë që Serbia të jetë shtet ligjor, atëherë duhet të respektojë ligjin deri në fund”, ka thënë Halimi, transmeton Koha.net.

Kjo situatë atij ia kujton vitin 2002 dhe raportin diskriminues ndaj shqiptarëve në Kuvendin Komunal të Bujanocit, për shkak të së cilit është dashur të ndërrohej ligji.

“Nga ana tjetër, kjo është edhe një dëshmi se Qeveria e Serbisë nuk dëshiron të bashkëpunojë me palën shqiptare e cila për shumë vite merr pjesë publikisht në zgjedhjet parlamentare, kur të gjithë të tjetër i kanë bojkotuar madje edhe në punën e organeve shtetërore”, ka shtuar kreu i PVD-së, Riza Halimi.

Ndërkaq dje, PVD, përmes një komunikate për media, tha se veprimi i fundit i Qeverisë së Serbisë, me vendimin e aprovuar për masat e përkohshme në Preshevë, “vërteton edhe njëherë logjikën e mbrapshtë dhe diskriminuese të autoriteteve serbe në drejtim të shqiptarëve”.

“Kjo flet qartë se Qeveria e Serbisë në relacion me shqiptarët në vend të një politike demokratike proeuropiane preferon partneritete klienteliste”, u tha në komunikatën e kësaj partie, raporton Koha.net.

Duke e cilësuar këtë vendim si tendecioz, manipulativ dhe antiligjor e diskriminues ndaj të drejtave të shqiptarëve, meqë nuk është respektuar as fuqia politike e subjekteve përbërëse të Kuvendit të shpartalluar e as praktika ekzistuese nëpër komunat e tjera të Serbisë ku është respektuar kontinuiteti i kryetarëve të komunave edhe në organin e përkohshëm, PVD tha se do të ndërmarrë veprimet e veta konkrete politike, të përmendura më sipër.

“Për këtë vendim antiligjor dhe manipulues, me të cilin cenohen interesat e shqiptarëve në Preshevë, PVD do të informojë misionet diplomatike në Beograd. PVD, po ashtu, i cilëson si të rrezikshme provokimet e situatës në Bujanoc me iniciativa për themelimin e pushtetit paralel të cilave po i prinë deputeti i partisë së Presidentit të shtetit”, ka përfunduar reagimi i partisë së Riza Halimit, PVD.