Arbëri

Akuzat dhe mbrojtja ndaj ministrit serb të Bujqësisë, Nenad Rikallo

Ministrit të Bujqësisë Nenad Rikallo sot i ka dalë në mbrojtje partia e tij. Sipas Listës Serbe, sulmet siç i quajnë ata që po i bëhen anëtarit të tyre, janë të pabazuara dhe se po bëhen me qëllim të përfitimeve të poenëve politikë.

Lista Serbe dënon ashpër këto siç shprehet sulme që dëmtojnë besimin dhe stabilitetin ndëretnik në Kosovë, raporton KTV.

Ndërkohë, deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, u është përgjigjur pretendimeve të ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, se ai dhe Albin Kurti kanë qenë bashkëthemelues të Rrjetit të Aksionit të Kosovës, i njohur si KAN.

Ai ka prezantuar disa foto ku, sipas tij, dëshmohet se babai i Nenad Rikallos, Radosllavi, është një nga 159 oficerët ushtarakë rezervë që ishin mobilizuar gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka akuzuar Qeverinë duke thënë se “i ashtuquajturi 'krahu i luftës' është bërë bashkë me Serbinë për të krijuar qeveri”.

Ndërkohë, Ilir Deda nga Alternativa, ka sqaruar pjesëmarrjen e tij në Bordin e Sorosit, ku pjesë e saj ishte edhe ministri i ri i Bujqësisë, Nenad Rikallo.

Deda mohon të ketë pasur bashkëpunim ndërmjet tij dhe Rikallos, duke shtuar se krejt këto akuza janë lojë nga ana e SHIK-ut, për t'u ikur akuzave të qytetarëve se ata janë maltretuar nga Rikallo.