Arbëri

Haradinaj: Marrëdhëniet diplomatike dhe ndër-institucionale me Maqedoninë janë të shkëlqyera

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një takimi të zhvilluar me ambasadorin e Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski, diskutoi për sfidat dhe rrugëtimin e përbashkët të të dyja shteteve drejt perspektivës evropiane.

Haradinaj theksoi se marrëdhëniet diplomatike dhe ndër-institucionale mes dy vendeve janë të shkëlqyera, dhe se ato duhet të thellohen “sidomos në aspektin ekonomik dhe tregtar”.

Kryeministri e njoftoi ambasadorin Strashevski se puna në përmbushjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në do të intensifikohet dhe do të përshpejtohen afatet e përmbushjes së obligimeve deri në qartësimin e saktë kohorë të perspektivës evropiane.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se “qeveria sot ka një dinamikë përpara, dhe se është përqendruar në prioritetet e qeverisjes së mirë, sundimit të rendit dhe ligjit, reformat në ekonomi, shëndetësi dhe arsim dhe po adreson me intensitet të lartë të gjitha nevojat urgjente të qytetarëve të vendit”.

Ambasadori i Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski, duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për dinamizmin dhe energjinë e re që ka sjellë në logjikën qeverisëse të Kosovës, ofroi mbështetjen e plotë të Maqedonisë në agjendën evropiane të Kosovës, si dhe bashkëpunim të shtuar në fushën e Diplomacisë Ekonomike.