Arbëri

Sipas ministres serbe dialogu i Brukselit nuk njeh pavarësinë e Kosovës

15 shtator - Ministrja serbe për Integrime, Jadranka Joksimoviq, u tha sot vijuesve të Shkollës së Integrimeve Europiane se dialogu Beograd-Prishtinë, që po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së, njeh faktin se nuk është pranuar pavarësia e Kosovës e Metohisë, citojnë atë mediat serbe, transmeton Koha.net.

Ajo pasi ka theksuar se anëtarësimi i Serbisë në BE përbën interes strategjik të shtetit, vijuesve të kësaj shkolle, të punësuarve në administratën lokale dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile nga pjesa veriore e Kosovës, u është përgjigjur interesimit të tyre për gjendjen e dialogut midis Beogradit e Prishtinës, që zhvillohet në Bruksel.

Sipas saj, “dialogu Beograd-Prishtinë, me ndërmjetësimin e BE-së, paraqet konfirmim të faktit se pavarësia e Kosovës e Metohisë nuk është njohur”

Ajo ka thënë se synimi i shtetit është që përmes bisedimeve në Bruksel të sigurohen kushte maksimale për serbët në Krahinë, siç e ka quajtur ajo Republikën e Kosovës, si dhe të mbrohen interesat kombëtare, transmeton Koha.net.

Joksimoviq ka përmendur se Parlamenti Europian ka miratuar Deklaratën përmes të cilës është pranuar dhe marrë në konsideratë amendamenti i deputetëve serbë për formimin sa më parë të Bashkësisë (Asociacionit) së Komunave Serbe në Kosovë.

Kreu 35, tha ajo, nuk është zëvendësim për dialog, por ka të bëjë me përcjelljen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Bashkëpunimi rajonal është një nga prioritetet e Serbisë, ka thënë Joksimoviq, duke shtuar se bashkëpunimi është parakusht i stabilitetit, paqes, zhvillimit dhe përparimit.