Arbëri

Haradinaj: Nuk kemi të dhëna se Rikallo ka keqtrajtuar shqiptarë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se me shqetësim ka marrë informacionet se banorët e lagjes “Dardania” të Prishtinës gjatë luftës në Kosovë janë keqtrajtuar nga ministri i tanishëm i qeverisë së tij, Nenad Rikallo.

Në njoftimin zyrtar të kryeministrisë thuhet se Prokuroria e Shtetit, AKI-ja dhe Policia e Kosovës nuk kanë asnjë të dhënë se Rikallo ka qenë i përfshirë në keqtrajtimin e shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.

“I kemi marrë me shqetësim reagimet e disa qytetarëve në lidhje me mundësinë e përfshirjes së një anëtari të kabinetit, ministrit Nenad Rikalo, në, siç pretendohet, keqtrajtimin e qytetarëve të Prishtinës gjatë periudhës së vitit 1999”, thuhet në reagimin e Haradinajt.

“Menjëherë pas kësaj, përmes kanaleve zyrtare dhe me shkrim, kam kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit, AKI dhe Policia e Kosovës lidhur me pretendimet e qytetarëve për përfshirjen e tij në aktivitetet e përmendura më sipër. Nga përgjigjet që kam marrë, në rrugë zyrtare, nga këto tri institucione të shtetit, nuk ka asnjë të dhënë se ai ka qenë i përfshirë në veprimet e tilla”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

“Si kryeministër i vendit, dua të siguroj qytetarët e Kosovës, se jo vetëm në këtë rast por edhe në çfarëdo situate të ngjashme, do të veproj sipas ligjit dhe përgjegjësive që kam”.