Asgjësohen 20 tonë mish gjedhi me afat të skaduar

Asgjësohen 20 tonë mish gjedhi me afat të skaduar

14 shtator 2017 08:39

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të mërkurën, në Prizren, bashkë me autoritetet e tjera, ka realizuar një aktivitet për asgjësimin e 20 tonëve të mishit të gjedhit me afat të skaduar që po vinte nga një prodhues në Belgjikë, njofton korrespondenti i kohës Ditore nga Prizreni. Kjo ngarkesë ishte bllokuar prej dy javësh në Terminalin doganor në Prizren nga inspektorët e AUV-it, pasi gjatë kontrollit janë hasur paketime me mish me afat të skaduar.

“Kjo ngarkesë ka më shumë se dy javë që qëndron në terminal e bllokuar nga ana e inspektorëve veterinarë kufitarë të AUV-it. Fillimisht inspektori gjatë kontrollit të rregullt ka hasur në një ngarkesë me etiketë të ndryshme nga certifikata, dhe bazuar në këtë dyshim ai ka ushtruar kontroll të detajuar dhe gjatë kontrollit të detajuar ka vërejtur se disa nga paletat me mish janë me afat të skaduar. Bazuar në këtë, inspektori ka blombuar ngarkesën dhe e ka bllokuar për import të rregullt”, ka thënë zyrtari për informim i AUV-it, Lamir Thaçi. Sipas tij, pasi që ngarkesa kishte qëndruar e bllokuar, inspektori përkatës ka vendosur se kjo ngarkesë ose duhet të kthehet në vendin e origjinës, ose duhet të asgjësohet.

“Në pamundësi që pala ta kthejë në vendin e origjinës, atëherë është vendosur që të bëhet asgjësimi, ashtu që të pamundësohet që ky mish i dyshimtë me afat të skaduar të hyjë në territorin e Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka konfirmuar se sasia totale e mishit të asgjësuar është 20 tonë dhe se vendi i origjinës është Belgjika. Thaçi ka sqaruar se disa nga paletat kanë qenë me afat të rregullt, por bazuar në procedura është vlerësuar se komplet ngarkesa është e dyshimtë, përkatësisht se nuk i plotëson kushtet për të hyrë në treg.

“Si autoritet jemi duke i zbatuar procedurat bazuar në ligj. Secili që tenton të futë produkte të dyshimta në Kosovë ne do ta bllokojmë dhe do ta kenë fatin e njëjtë”, është shprehur zyrtari i AUV-it.

Lidhur me këto raste ai ka shtuar se AUV-i e njofton prokurorin e shtetit, si dhe organet hetuese të Policisë, që pastaj kanë autoritet për të ndërmarrë veprime hetuese dhe ndjekëse.

Në tetor të vitit të kaluar autoritetet shtetërore të Kosovës pas koordinimit me homologët nga Belgjika patën marrë një vendim të ngjashëm për asgjësimin e 20 tonëve të mishit të gjedhit, e cila dërgesë qe ndaluar në Terminalin doganor të Prizrenit për shkak të dyshimeve për falsifikim. Edhe në muajin korrik të vitit 2016 qenë shkatërruar mbi 20 tonë mish pule me afat të skaduar që importohej nga Britania e Madhe e që ishte dedikuar për tregun kosovar.

Zyrtari për informim i AUV-it, Lamir Thaçi, ka pohuar se edhe për ngarkesën e fundit janë njoftuar autoritetet belge dhe se janë në konsultime për masat ndëshkimore që do të ndërmerren ndaj prodhuesit që e ka bërë këtë falsifikim.

“Vendi i origjinës së ngarkesës është i njëjtë, por prodhuesi, respektivisht fabrika nuk janë të njëjtë. Në dy rastet kemi të bëjmë me dy prodhues dhe dy importues të ndryshëm”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se për këto raste do të merren masa konform ligjit në fuqi, marrë parasysh edhe faktin se rrezikshmëria te produktet me origjinë shtazore është më e lartë se te produktet e tjera.

Nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-it dhe autoriteteve të tjera është kryer procesi i asgjësimit të ngarkesës së mishit të gjedhit. Në terminal është shkurruar produkti me hedhjen në mikserin e mjeteve të pastrimit nga kompania për menaxhimin e mbeturinave dhe më pastaj është groposur në deponinë e mbeturinave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme