Arbëri

Kadaj-Bujupi e quan tradhti bashkimin e AAK-së me PDK-në

Ish-deputetja e AAK-së tani deputete e Vetëvendosjes, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se bashkimi i AAK-së dhe Nismës me PDK-në në koalicionin parazgjedhor dhe në qeverisjen e vendit ka qenë tradhti ndaj popullit.

Ajo thotë se një bashkim i tillë pas shumë e shumë akuzave mes palëve është i rëndë për popullin dhe është i pafalshëm.

“Kur e kam braktis AAK-në kam dëshmuar edhe simbolikisht mospajtimin tim që të bëhet një bashkim i tillë. Konsideroj se është një gabim shumë i madh. E para ishte se ishin dy tema për të cilat opozita ishte e bashkuar. E kujtojmë 9 janarin kur e gjithë popullata ishte në protestë për dy kauza. Dhe menjëherë pas asaj dy subjekte u tërhoqën. Njerëzit thyhen shpirtërisht kur ka tradhti. E kujtojmë edhe vitin 2014 kur qytetarët ndiheshin të tradhtuar dhe nisi ajo vala e ikjes. E njëjta po ndihet edhe sot. Është e rëndë dhe është e pafalshme për ata që deri pak para koalicionit thoshin se do të qëndronin larg me PDK-në, ndërsa më pas për çështje të kolltukut u bashkuan”, ka thënë ajo në Express të KTV-së.