Arbëri

MSH-ja i dërgon analizat jashtë vendit për vdekjet e dyshimta në QKUK

Descriptive Text

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, përmes një deklarate për publik, dëshiron të informojë opinionin lidhur me veprimet konkrete të ndërmarra nga ana e tij lidhur me rastet e raportuara për “vdekjet e dyshimta” në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ministri, përmes kësaj deklarate, ka njoftuar të gjithë qytetarët e vendit për disa veprime konkrete janë marrë që nga e hëna për rastin e raportuar mbi vdekjet në QKUK, raporton Koha.net.

• Të gjitha inspektoratet e Ministrisë Shëndetësisë janë urdhëruar të shkojnë në QKUK për të filluar hetimet e pavarura dhe të detajuara;

• Në mënyrë që ky rast të trajtohet me vëmendjen dhe seriozitetin më të madh, kam kërkuar që ekipet e inspektorëve të udhëhiqen nga zyrtarët e lartë të këtyre institucioneve si p.sh Kryeinspektorja e Inspektoratit te Shëndetësisë, U.D Kryeinspektorit Farmaceutik, Drejtori i Laboratorit për Kontroll të Cilësisë;

● Kemi kërkuar raportim të rregullt nga SHSKUK-ja, për hetimet në sfera të tjera

● Ekipet kanë izoluar të gjitha pajisjet dhe janë blombuar të gjitha mostrat;

● Rekomandimet e ekipeve të MSh-së janë që për disa çështje të bëjmë edhe analiza jashtë vendit, dhe unë kam autorizuar zyrtarët e Ministrisë për të filluar menjëherë këtë;

● Kam kërkuar nga të gjitha palët, që procesi të jetë transparent për publikun për çdo veprim të ndërmarrë. Po ashtu, ekipet e MSh, janë duke monitoruar edhe punën e ekipeve të QKUK-së.

“Duke ditur ndjeshmërinë e rastit, kam ngritur çështjet në nivelin më të lartë, dhe pa dashur të paragjykoj ndonjë rezultat apo vendim, dëshiroj të siguroj të gjithë qytetarët se çfarëdo prove e keq-menaxhimit, neglizhencës ose ndonjë faktori tjetër, do ta ketë përgjigjen e menjëhershme institucionale”, thënë ministri Ismaili.

“Shërbimet e sigurta mjekësore dhe trajtimi i dinjitetshëm, janë e drejtë e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe çfarëdo tentimi për të dëmtuar shërbimet për përfitime, apo për të neglizhuar situatat, do të ndëshkohet. Unë jam i vetëdijshëm për sfidat që ka ky resor dhe pikërisht për këtë, me ekipin tim, do të jemi të pa-kompromis ndaj të gjithë atyre faktorëve që kanë ndikuar apo ndikojnë që gjendja në shëndetësi të mos jetë ajo që qytetarët e dëshirojnë”, thekson më tej ministri i Shëndetësisë.

Në asnjë rrethanë, thotë ministri Ismaili, nuk do të tolerojmë më neglizhencën apo çfarëdo veprimi tjetër, që e ndalë progresin në shëndetësi.

“Kjo është dita e dytë e punës sonë dhe do të jetë një rrugëtim i gjatë dhe intensiv, por më shumë përkushtim dhe vullnet politik do të adresojmë sfidat kryesore të shëndetësisë, duke investuar në shërbime më të mira, kushte shumë më të mira, menaxhim më të mirë, e po ashtu, duke luftuar pakushte çdo dukuri që e lë mbrapa këtë resor; korrupsionin, keq-menaxhimin, shërbimet jo-adekuate dhe çfarëdo pengese tjetër. Për këtë kemi nevojë për mbështetjen e sinqertë të qytetarëve dhe çdo akteri tjetër që ka përgjegjësi në këtë segment”, ka përfunduar ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.