Arbëri

Deputetët e Vetëvendosjes pritet të kthehen në Gjykatë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të kthehen në Gjykatë, për akuzën që rëndon mbi ta rreth gjuajtjes së gazit lotsjellës në këtë institucion, raporton KTV.

Albulena Haxhiu, Donika Kadaj, Faton Topalli dhe Albin Kurti akuzohen për veprën penale përdorim i armës dhe pengim i personit zyrtar.

Por, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte lëshuar urdhërarrest dhe kishte caktuar 1 muaj paraburgim për Kurtin në seancën e muajit prill.

Për të shmangur tensione në kohën e fushatës, Gjykata e kishte pezulluar këtë fletë-arrest meqenëse Kurti ishte kandidat për kryeministër i VV-së.

Mirëpo, deputetët e akuzuar nuk kanë vendosur nëse do të jenë pjesë e seancës gjyqësore ose jo.

Pos këtyre 4 deputetëve, ka të akuzuar të tjerë për gjuajtje të gazit lotsjellës, në mesin e tyre edhe nga partia e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe partnerit të koalicionit, Nisma për Kosovën.