Arbëri

Peterle: Duhet vullnet politik për të adresuar problemet në zonat ku jetojnë serbët

Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë nga Bashkimi Evropian (EU EOM) sot prezantoi raportin final mbi zgjedhjet legjislative të 11 qershorit. Raporti përmban një vlerësim mbi procesin zgjedhor dhe ofron 26 rekomandime për përmirësimin e proceseve të ardhshme zgjedhore në Kosovë.

Misioni ishte i udhëhequr nga Shefi i Misionit, Alojz Peterle, anëtar i Parlamentit Evropian nga Sllovenia, i cili u kthye në Kosovë për dy ditë që t’ua prezantojë raportin autoriteteve në Kosovë, Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), partive politike, shoqërisë civile dhe mediave.

Raporti final i EU EOM-it reflekton gjetjet e deklaratës preliminare, ku është gjetur se zgjedhjet ishin vërtetë konkurruese në pjesën më të madhe të Kosovës, por nevojitej vullnet politik për t’i adresuar dobësitë e vjetra si dhe problemet e frikësimit në zonat me serbë të Kosovës.

Duke theksuar nevojën për adresimin e frikësimit, Peterle bëri thirrje për “veprim më të vendosur” nga organet me ndikim, duke thënë se “votuesit nga të gjitha komunitetet meritojnë një proces të lirë demokratik”.

Peterle thekson nevojën për tu bërë përmirësime në kohë për zgjedhjet komunale. “Flas sidomos për edukimin e votuesve, trajnimin dhe caktimin e këshillit të vendvotimeve, transparencë në procesin e KQZ-së dhe rolin e Komisionit të Pavarur për Media. Inkurajoj autoritetet relevante t’i kenë parasysh këto rekomandime dhe t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm për implementimin sa më të shpejtë të tyre”, tha Peterle. Ai vërejti se KQZ ka një Plan Veprimi të dizajnuar për implementimin e rekomandimeve afatshkurtra nga Misioni në lidhje me punën e tyre me zgjedhjet komunale.

Peterle theksoi se nevojitet vullneti politik nga i gjithë spektri politik për adresimin e rekomandimeve afatgjate, të cilat përfshijnë përmirësimin e listës së votuesve, mbikëqyrje më të mirë mbi shpenzimet e fushatës, kohën e mjaftueshme për zgjedhjet e parakohshme, përmirësime në sistemin e votimit jashtë Kosovës, përmirësimin e mekanizmit të ankesave zgjedhore, eliminimin e boshllëqeve në rregullat mbi mbulimin medial të fushatës, si dhe pjesëmarrjen më të madhe të grave në procesin zgjedhor.

Prezantimi i Raportit Final përmbyll punën e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian mbi zgjedhjet legjislative, që ishte në Kosovë nga maji deri në qershor, dhe vëzhgoi të gjitha aspektet e procesit zgjedhor. Z. Peterle do të vazhdojë rolin e Shefit të Misionit për misionin e ri të vëzhgimit të zgjedhjeve për zgjedhjet komunale të 22 tetorit, që zyrtarisht u hap sot.

Raportin e plotë final, bashkë me tabelën e rekomandimeve, mund ta gjeni në këtë LINK.

EU EOM dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë operojnë si të pavarur nën mandate specifike.