Arbëri

Vuçiq: Ushtria, në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe me Kushtetutën e Kosovës

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar të mërkurën se për çështjen e formimit të Ushtrisë së Kosovës pret ndihmën e Bashkimit Evropian, SHBA-ve, Rusisë, duke pohuar se këto janë gjëra të mëdha që dikush të luajë me to.

Ai në konferencën për media në Kopaonik, i pyetur për bisedën telefonike me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se nuk janë pajtuar rreth çështjeve kyçe, para se gjithash për formimin e Ushtrisë së Kosovës, e cila sipas tij, do të ishte shkelje e Rezolutës 1244 të KS të KB-ve, por edhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, shkruan KP.

Ndërkohë, Vuçiq theksoi se verifikimi i aftësive operative të njësive të ushtrisë së Serbisë, e cila ka nisur dje, është e zakonshme dhe zbatohet në pajtim me planet.

“Ky është një verifikim i zakonshëm dhe zbatohet në pajtim me planet që kemi. Kjo është plotësisht normale dhe nuk ka asgjë më shumë”, u shpreh Vuçiq.