Rugova: Demarkacionin e votojmë me këto kushte

Rugova: Demarkacionin e votojmë me këto kushte

11 shtator 2017 23:48

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se formimi i Qeverisë pa debat nuk është gjë e mirë.

Madje ai programin qeveritar të Haradinajt e ka quajtur shumë program amator.

Rugova tha se thirrja e seancës së jashtëzakonshme nga LDK dhe VV u bë për shkak se nuk pati debat gjatë seancës për formimin e Qeverisë, mirëpo theksoi se Qeveria i injoroi ata duke mos marrë pjesë në atë seancë.

Për shkarkimin e Komisionit shtetëror për demarkacion, Rugova tha se shpreson që premtimi parazgjedhor i Haradinajt për rishikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi do të realizohet.

“Vendimi i sotëm është konform premtimeve të tij parazgjedhore. Haradinaj edhe si kryeministër tha se kufiri i Kosovës me Malin e Zi tha se nuk do ndryshojë – është në Kullë dhe Çakorr. Ne do ta pyesim Haradinajn se si e ka menduar këtë projekt që pas pranimit të Malit të Zi në NATO, do ta zgjidh këtë çështje. Dihet se për të dërguar në Arbitrazh një çështje, duhet pajtimi i të dy palëve. Por, çka nëse nuk i del matematika zotit Haradinaj? Ku do të mbetet premtimi i tij? Ku po mbetet burrëria pastaj, nëse ky premtim nuk realizohet?”, tha ai.

“LDK do të sillet konform interesave të sovranitetit dhe integritetit të plotë të Republikës së Kosovës dhe trevës së Rugovës. Nuk do të votojmë asnjë propozim për demarkacionin me Malin e Zi pa u plotësuar në plotni parakushtet e aspektit shkencor, kadastral dhe emëruesi i përbashkët është marrëveshja politike, qoftë ai i gabuar. Mendoj se është vonë sepse kemi të bëjmë me ndryshim të kufirit me një vend që është pranuar në NATO”, ka theksuar Rugova.

“Unë kam vërejtje sepse unë nuk jam ekspert. Edhe vetë anëtarët e komisionit kanë shkaktuar konfuzion. Po rritet Mali i Zi e nuk po zvogëlohet Kosova! Nëse banorët e fshatit Haxhaj i kanë shfrytëzuar kullosat nga ai vend, pse t’i takojë Malit të Zi? Megjithatë, unë kam prirje institucionale, duke i besuar edhe miqve ndërkombëtarë. Ka munguar një transparencë nga Qeveria e Kosovës, por ka qenë punë e kryer kur kryeministri Mustafa e ka pranuar punën. Për të gjithë këtë ka qenë edhe ekipi i caktuar nga tani Presidenti Hashim Thaçi. Vërejtjet e mia kanë qenë që zotëri Mustafa është dashur të jetë më transparent me banorët e Rugovës. Uroj që kryeministri Haradinaj ta ketë llogaritur mirë, përndryshe do t’i kushtojë moralisht, politikisht dhe kombëtarisht”, u shpreh deputeti i LDK-së, Naser Rugova.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme