Serbia ndalon çdo autobus që niset nga Kosova Foto: Koha

Serbia ndalon çdo autobus që niset nga Kosova

11 shtator 2017 19:14

Nga mesnata e së dielës këta autobusë kanë mbetur të bllokuar pak metra nga pika kufitare në Merdare, në pjesën e Serbisë.

Megjithëse ende nuk ka asgjë zyrtare, shoferët e këtyre autobusëve të bllokuar thonë se policia serbe u ka thënë gojarisht se kanë marrë urdhër nga autoritetet serbe për të bllokuar çdo autobus nga Kosova apo që është i nisur për në Kosovë si masë reciprociteti ndaj vendimit të palës kosovare për të ndaluar funksionimin e qarkullimit të linjës Prishtinë-Beograd, raporton KTV.

Ismajl Muriqi, vozitës autobusi, ka kërkuar nga institucionet e vendit të ndërmarrin ndonjë masë, pasi, për shkak të kësaj bllokade, duhet të qëndrojnë në territorin serb, duke i ruajtur autobusët.

Ndërsa, vozitësi tjetër, përpos që është ankuar për dënimet të kohëpaskohshme që po u shqiptojnë autoritetet serbe, ka edhe një thirrje për qytetarët e Kosovës që duan të kalojnë ilegalisht për në Evropë.

Kurse, njëri nga pronarët e një agjencie turistike ankohet se askush deri më tani nuk u doli në ndihmë.

Kohavision ka kontaktuar me ministren e deritashme për Dialog, Edita Tahiri, por e njëjta nuk ka pranuar të flasë asgjë për situatën e krijuar, duke e adresuar përgjegjësinë te zyrtarët e Policisë së Kosovës, por që edhe këta të fundit kanë thënë të mos e kenë nën përgjegjësi një problematikë të tillë.

Në ministrinë e Infrastrukturës që është e autorizuar të japë leje ndërkombëtare të qarkullimit, kanë thënë se janë duke u marrë me këtë çështje, por një përgjigje për bllokadën do ta japin ditëve në vijim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme