Veseli me kadetët, NATO te FSK-ja gjen partnerin kryesor

Veseli me kadetët, NATO te FSK-ja gjen partnerin kryesor

08 mars 2017 10:48

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në prag të procedimit të Projektligjit për FSK-në, ka vizituar sot kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Gjatë një adresimi para kadetëve, kryeparlamentari Veseli tha sa ka zgjedhur ditën e sotme për të bashkëbiseduar me ta, tashmë kur Kosova po hyn në një proces të rëndësishëm të transformimit të Forcës së saj të Sigurisë në ushtri.

“Ju keni krijuar mundësinë që Kosova të jetë para një vendimi historik. Siç e dini, presidenti dje ka marrë një vendim i cili është në interesin e vendit tonë, me qëllim tërësisht paqësor, në mbështetje të qytetarëve të vendit dhe në fqinjësi të mirë me të gjithë fqinjë, por edhe me qëllimin e shenjtë, mbrojtjen e vendit tonë”, theksoi kryetari Veseli, duke shfaqur besimin se projektligji do të gjejë përkrahje unanime në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Veseli tha që nga viti 2013 Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur kapacitetet e saj për të ndryshuar misionin, por sipas tij, fatkeqësisht deri tani politika nuk ka arritur të ndërtojë konsensus për këtë.

Kreu i Kuvendit theksoi se Kosova do të vazhdojë të jetë një nga partnerët më të qëndrueshëm të NATO-s dhe vendeve perëndimore, në misione të ndryshme globale, me theks të veçantë në luftën kundër terrorizmit.

Kryeparlamentari Veseli bëri të ditur se asgjë nuk do të ndryshojë në raport me KFOR-in dhe se forca e NATO-s në Kosovë te FSK-ja gjen partnerin kryesor të saj.

Veseli u tha kadetëve se ata duhet të ndihen krenarë me rrënjët e tyre të cilat gjenden në të kaluarën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por gjithashtu, të jenë krenarë edhe për misionin e ri në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim, të ruajtjes së paqes dhe sovranitetit të Kosovës.

Më pas, kryetari Veseli u përgjigj në pyetje të shumta të kadetëve lidhur me misionin e ardhshëm të FSK-së dhe njëherësh inkurajoi ata që të vazhdojnë angazhimin dhe punën e pandalshme në profesionalizmin e mëtejmë të tyre dhe rrjedhimisht, të FSK-së në përgjithësi.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme