Arbëri

“Russia Today”: Lidhjet e Trumpit me Thaçin, ç’plane kanë për rajonin (?!)

Descriptive Text

Bashkimi Europian mbetet i angazhuar në Ballkanin perëndimor dhe do t’i qëndrojë zotimeve të tij, thotë Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, në letrën e dërguar anëtarëve si ftesë për mbledhjen e këshillit të enjten.

“Do ta shohim me kujdes situatën në rajon, e cila është mjaft e brishtë. Do të shohim gjithashtu mënyrat si duhet vepruar përballë objektivit tonë të përbashkët të forcimit të mbrojtjes dhe sigurisë së Europës”, shkruan Tusk.

Ndërkohë Ballkani ia ka dalë të dominojë lajmet jo vetëm në Evropë, por edhe në SHBA.

Ndër shkrimet e shumta bie në sy një opinion i publikuar nga “Russia Today”, televizioni i fuqishëm informativ, që shihet si zëri i Moskës, transmeton MAPO.

Opinioni ka për autor dr. Marcus Papadopuolus.

Ai shkruan se plani amerikan për Maqedoninë është që të mbajë Serbinë poshtë dhe Rusinë jashtë rajonit.

“Pavarësisht se në SHBA ka një administratë të re, ka pak shanse që presidenti Donald Trump të ndryshojë politikën e Uashingtonit në Ballkan dhe të braktisë shqiptarët atje. Në fakt, Trump ka demonstruar mbështetjen e tij të plotë për Kosovën në shkurt”.

“Trump, që njësoj si Hashim Thaçi, ka lidhje me krimin e organizuar, nuk do të heqë dorë nga ndikimi amerikan në Ballkan, për të vazhduar dominancën në rajon”.

“Maqedonia është vendi ku do të luhet edhe vendosmëria e Uashingtonit për të mbetur dominues në Ballkan. Aleanca shqiptaro-amerikane është vdekjeprurëse për sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni historikisht të paqëndrueshëm. Megjithatë, për amerikanët dhe shqiptarët, kjo është një situatë e favorshme. Me ndihmën e shqiptarëve, SHBA mbetet fuqia udhëheqëse në Ballkan. Dhe me ndihmën e amerikanëve, qëllimi shqiptar i realizimit të Shqipërisë së Madhe shkon një hap përpara. Presidenti Trump po nisë të luajë kartën e tij në Maqedoni. “Të bëjmë Amerikën të madhe sërish” ka nisur të marrë një tjetër dimension”, shkruan autori.