Arbëri

Ikjet nga Kosova po i organizojnë grupe kriminale, Policia po i heton

Zyrtarë të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, janë të bindur se ekziston një grup i organizuar që po nxit qytetarët të largohen nga vendi.

Kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje, Ylber Çitaku, ka thënë se ekzistojnë edhe videot ku shihen këta persona. KTV-ja i ka kërkuar këto video, por Citaku nuk i ka publikuar ato.

Çitaku ka thënë se nuk ka vend për shqetësim, pasi sipas tij, qytetarët nuk po largohen nga Kosova. Çitaku ka thënë po ashtu se të njëjtit njerëz po zbresin prej autobusëve para se të kalojnë kufirin.

Përparim Pushkolli nga kompania ‘Adio Tours’, deklaron se ka pasur raste kur një grup udhëtarësh kanë zbritur, para se të mbërrijnë në pikën kufitare.

Policia e Kosovës, ka konfirmuar se po i heton këto grupe të organizuara që sipas tyre, kanë kontribuuar në rritjen e fluksit të njerëzve drejt Beogradit.

Gjatë vitit 2014, Policia e Kosovës kishte identifikuar 21 raste si “Kontrabandim me emigrantë” dhe kishte arrestuar 39 persona të dyshuar.