Arbëri

Policia urdhëron ndërprerjen e udhëtimeve Prishtinë-Beograd

Descriptive Text

Me urdhër të Policisë së Kosovës, kompanitë e linjave të rregullta të autobusëve Prishtinë-Beograd kanë anuluar udhëtimin. Së paku deri të martën e javës së ardhshme.

Portali Koha.net, ka kontaktuar me dy prej disa kompanive të cilat kanë linja të rregullta për në Beograd, e që kanë konfirmuar në kushte anonimiteti se me urdhër të policisë janë detyruar t’i anulojnë këto udhëtime.

“Nuk kemi udhëtime me urdhër të policisë. Të lutem mos pyet më shumë”, ka thënë njëri prej tyre pa dashur që të zgjasë më tepër bisedën.

Portali ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarët për informim në Policinë e Kosovës, por të premten pasdite këtë gjë e ka pasur të pamundur.

Edhe Menaxhmenti i Stacionit të Autobusëve dhe drejtori i Stacionit të Autobusëve, Ylber Çitaku, kanë konfirmuar për Koha.net që nga sot janë anuluar të gjitha nisjet në relacionin Prishtinë-Beograd.

Çitaku ka thënë se këtë vendim e kanë marrë vetë kompanitë e autobusëve të linjës Prishtinë-Beograd, duke shtuar se nuk e di arsyen.

Ai tutje ka shtuar, se kjo ndalesë prej Stacionit të Autobusëve do të fillojë sonte deri në ditën e martë.

Kujtojmë se që nga fillimi i javës është parë një fluks i ri i të interesuarve për udhëtim drejt Beogradit, me synim që prej atje t'ia mësyjnë vendeve tjera të Evropës, kryesisht Gjermanisë.