Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Behgjet Pacolli, nga pas pragu, tek ëndrra për president

Edhe një herë tjetër Behgjet Pacolli e ka tradhtuar veten dhe zotimin për parime në politikë, raporton KTV.

Një biznesmen multimilioner, Pacolli është joshur nga oferta e PDK-së, AAK-së e Nismës, për t’u bërë bashkë me ta në koalicion.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me vetëm 4 deputetë në Kuvendin e Kosovës, Pacolli ka fituar një zëvendëskryeministër, 5 ministri, 7 zëvendësministra dhe atë që e synon që nga 2006-a kur u fut në politikë, postin e presidentit të Kosovës.

Kryetari i AKR-së i ka zënë besë përsëri PDK-së dhe AAK-së, e cila e kundërshtonte si president më 2011 dhe sipas marrëveshjes së re, Pacollit i garantohet posti i presidentit, pasi atë ta përfundojë Hashim Thaçi.

Por, si u bë pjesë kaq e rëndësishme e politikës biznesmeni që punoi shumë në Rusi, kohë për të cilën u hetua për keqpërdorime në ndërtim?

Historia e jetës politike të Behgjet Pacollit në fakt lidhet ekskluzivisht me postin e presidentit të vendit.

Me vetëm 7 për qind të votave të fituara, më 2011 i siguroi votat për kryeministër Hashim Thaçit në shkëmbim të postit të presidentit, për çka u bë bashkë me ish-partinë e Thaçit.

Por, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi Pacollin vetëm 38 ditë pasi u zgjodh i pari i Kosovës, në një seancë që u përcoll me shumë parregullsi e ndërhyrje në diktim të votimit për të.

Për një vendim në favor të Pacollit, Enver Hasani tha se njerëzit e Pacollit i ofruan 1 milion euro. As ato pak ditë sa ishte president, nuk i pati të lehta.

Iu kujtuan skandalet e shumta, nisur nga akuzat se bleu njohjen e Maldiveve e deri te vallëzimi që një delegacion prej më shumë se 100 kosovarësh bën para diktatorit libian, Gadaffi.

Organizatat e veteranëve e mohuan autoritetin e tij të presidentit, duke i kërkuar që të sqarojë deklaratat e tij se ai do të jetë Tito i Kosovës dhe se gjithmonë ka ekzistuar vëllazëria shqiptaro – serbe.

Në intervistën që i kishte dhënë gazetës “Veçernji list”, më 24 shkurt 2008, Pacolli kishte thënë se “Serbia ende është nënë e Kosovës, për fat të keq, nënë e keqe”.

Në zgjedhjet e 2014-ës, qytetarët e ndëshkuan, ku AKR-ja nuk e kaloi as pragun, duke e lënë jashtë politikës.


Behgjet Pacolli, nga pas pragu, tek ëndrra për... by kohanet