Arbëri

Veseli: FSK është e pa konkurrencë në rajon

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është forca më profesionale dhe më e përgatitur në rajon dhe transferimi i saj në ushtri, është çështje ditësh.

Në një intervistë për televizionin publik, Veseli ka thënë se Kosova do të jetë anëtare e NATO-s, ndërsa ka shtuar se FSK është e pa konkurrencë në rajon.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është një nga forcat e rajonit më të përgatitura, si nga ana profesionale, si nga disiplina, e njohin gjuhën angleze shumica, një pjesë e madhe e njohin edhe gjuhën gjermane. FSK është e pa konkurrencë në rajon”, tha Veseli.

Veseli ka shtuar se FSK është ushtri e Kosovës, që ka për mision mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës dhe ka pohuar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, që ka përkrahje të fuqishme të partnerëve të saj, në veçanti nga SHBA-të.

Veseli, siç transmeton kp, ka pasur fjalë shumë të mëdha edhe për anën profesionale të përgatitjeve të ushtarëve të FSK-së, ndërsa ka thënë se krejt çka i duhet FSK-së është pajisja me mjete të reja dhe rritja e numrit të ushtarëve.