Arbëri

Dëmtohet me ngjyrë të zezë mozaiku i “Nënë Terezës” në sheshin “Skënderbeu” të Shkupit

Sot duhej të festohet njëvjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës. Por figura e saj në sheshin “Skënderbeu” në Komunën e Çairit të Shkupit pikërisht ditën e sotme u ngjyros me ngjyrë të zezë.

Kamerat dhe sigurimi që ishte angazhuar për ruajtjen e sheshit nuk kishin mundur të ndalin personin i cili mendohet që ngjyrosi qëllimisht figurën e Nënë Terezës.

Ndërsa qytetarët thonë se ky është një akt i ulët që i bëhet një figure të madhe.

“Mendoj se është një akt i ulët shumë, kjo tregon një nivel të ulët tek ne. Ajo është një figurë shumë e madhe edhe shqiptare edhe kombëtare edhe shkupjane”, tha Rami Qilafi, qytetar.

Kadri Amiti nga Kosova thotë se i duket e pakuptimtë dhe nuk mund të besojë që është ngjyrosur me ngjyrë figura e Nënë Terezës.

“Mua po më duket e pakuptimtë... sepse Nënë Tereza është e jona, a ka qenë e mirë apo e keqe, për gjithë botën ishte e mirë e përse për ne të jetë e keqe. Se neve nuk po na pëlqen askush. Perëndimi i improvizojnë gjërat, kurse ne i kemi që kanë ndodhur dhe nuk po i pëlqejmë unë... nuk e di çfarë po ndodh me neve”, u shpreh Kadri Amiti, turist.

Edhe pse rasti kishte ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, policia doli për të bërë hetimet rreth orës 13:30 minuta. Ndërsa nga Komuna e Çairit theksojnë se e dënojnë ashpër duke shtuar se do të merren të gjitha masat për zbardhjen e plotë të rastit.

“Komuna e Çairit dënon ashpër dëmtimin e mozaikut që është vendosur në sheshin Skënderbeu, për arsye se është një monument kulturor i cili duhet vlerësuar dhe duhet ruajtur. Ndërsa për rastin në fjalë Komuna e Çairit ka bërë denoncimin në MPB dhe kërkon identifikimin e atyre të cilët e kanë bërë këtë akt të turpshëm”, tha Kushtrim Alla, zëdhënës i Komunës së Çairit.

TV21 kontaktoi edhe me Ministrinë e Brendshme nga ku konfirmuan se është pranuar denoncimi dhe është konstatuar shkarravitje me ngjyrë të zezë e mozaikut, dhe se po merren masa për zbardhjen e rastit.

Përtej këtij rasti flagrant, gjatë netëve të festës për hapjen e sheshit, janë dëmtuar edhe shkallët dhe i njëjti rast po hetohet. Në dhjetor të vitit 2015, Papa Françesku njohu mrekullinë dhe nënshkroi dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës, si rrjedhojë e kontributit të saj human në mbarë botën. Më 4 shtator 2016, Nënë Tereza u shpall shenjtore në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.