Arbëri

Myftiu i Tiranës: S’kemi pasur qëllim të fyejmë figurën kombëtare

Dua të jap një sqarim publik për vëllezërit katolikë e ortodoksë. Nuk kemi pasur asnjë qëllim të fyejmë apo të mbulojmë Skënderbeun.

Ai është heroi kombëtar i shqiptarëve dhe as nga ana fetare, as nga historike prania e monumentit të tij në shesh nuk përbën asnjë problem për myslimanët, as për faljen e namazit”.

Kështu u shpreh në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Teksa i është kërkuar një sqarim për “mbulimin” e Skënderbeut me ekran gjatë faljes së namazit, Gurra tha se kanë qenë më së shumti kushtet teknike që kanë çuar aty, por pa e pasur si qëllim.

“Unë nuk jam marrë shumë me pjesën teknike, foni e ndriçim, këtë herë, por nga herët e tjera, di që forma e sheshit kërkon që ekranet “led uoll” të kenë një farë pjerrësisë në mënyrë që të shihen në të gjitha anët e sheshit”, tha Gurra për “Gazetën Shqiptare”.

Myftiu i Tiranës shprehu keqardhjen për mënyrën si është perceptuar dhe rrëfeu se “unë kam marrë kërcënime me jetë” për shkak të imazheve që qarkullojnë dhe perceptimit të krijuar se myslimanët e mbuluan monumentin e Skënderbeut gjatë faljes se mëngjesit.

Për këtë arsye, dua të jap një sqarim publik për gjithë vëllezërit katolikë që janë të ndjeshëm. Montimi i gjithë asaj skenës aty, e para punës është bërë natën. Çka do të thotë se është më e vështirë ta shohësh dhe më e vështirë të punohet. Teknikët e kanë gjykuar siç po gjykohet atë strukturë”. Myftiu kujton se në disa koncerte të bërë në sheshin e ri, praktikisht Skënderbeu është fshehur dhe asnjëherë s’ka qenë e qëllimtë.

“Nuk ka pasur kurrsesi një qëllim as këtë herë, e kanë parë më të lehtë montimin e funksionimin e led-uolleve. Njëri prej led uolleve duhet të shihet nga zonjat që falen, e që kanë qenë në krah të djathtë. Ndaj ekranet duhet të kishin një farë pjerrësie. Por kurrsesi, theksoj, se nuk ka kurrsesi tendencë. Nuk ka sepse pasi edhe Bajramin e parë, falja u krye me monumentin aty”, tha Myftiu.

Gurra vërejti se monumenti i Skënderbeut ka qenë më i dukshëm në Bajramin e parë për shkak se ekranet kanë qenë ndryshe por asnjëherë sipas tij për myslimanët nuk përbën shqetësim prania e Skënderbeut në shesh. “Ne vendosëm disa ekrane më të vogla duke qenë se skeletet e struktura e bashkisë ishte më e vogël”.

I pyetur për reagimet, që shtrihen më thellë në histori, Gurra tha: “Nuk ka asnjë arsye fetare e qytetare që myslimanët të ushqejnë e të kenë iluzionet e mbulimit të heroit, të Skënderbeun, sepse nuk është kundër asnjë rituali, as të fesë”.

Ai shtoi se “në aspektin fetar nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pra falja të njihet e po ashtu nuk ka asnjë kundërshtim as në aspektin historik. Heronjtë kombëtar në çdo vend, kanë flijuar veten për kombin, apo kanë mbrojtur tërërsinë e kombit jo mbi baza fetare. Kjo e vërtetë është deri vonë. Myslimanë e të krishterë kanë qenë bashkë kur kanë shpallur pavarësinë. Unë ju kujtoj se verdiktin përfundimtar mbi llojin dhe përmbajtjen e flamurit e ka vendosur kryemyfiu i atëhershëm, Veli Dibra, në krah të Ismail Qemalit”.

Në fund, Ylli Gurra, u shpreh se “i shoh të nxitura e provokative, ose mbase më mirë të them, shoh një keqkuptim në perceptimin për faljen e sotme. Të gjithë, si ju, duhej të kishin pyetur si qëndron situata, pasi ne nuk kemi dashur të mbulojmë Skënderbeun. Nuk është justifikim ky i yni, por shpjegim. Ne do të falim aty edhe Bajramin tjetër që është në qershor, e nuk ka asnjë arsye për të mbuluar heroin. Nuk ka arsye për një dritëshkurtësi të tillë. Nuk kanë pse ta ushqejnë vëllezërit katolikë e ortodoksë këtë dyshim, pasi gjithë sa është perceptuar sot, është perceptuar gabim”.

Image