Arbëri

LDK-ja akuzon Thaçin se është i pa autorizuar për bisedime me Serbinë

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj bisedimeve të pa autorizuara me Serbinë, të Kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“LDK-ja vlerëson se Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, i gjendur në një pozicion periferik sa i përket fuqisë politike, institucionale dhe i pa mundur të vendosë në funksion të tij, institucionet vendimarrëse të vendit, Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi pa lejen e organeve ligjvënëse dhe kokë në vete ka filluar bisedime të pa autorizuar me Serbinë”, shkruan Lidhja Demokratike e Kosovës.

Tutje, LDK, ka shkruar se ai dhe partia e tij po mbajnë peng formimin e institucioneve .

“Në funksion të qëllimeve të tij meskine dhe për të kthyer reflektorët politikë kah vetja, në kohën kur partia e tij po vazhdon të mbajë peng formimin e institucioneve edhe pse është në kuotat më të ulëta historike të fuqisë së saj politike, Thaçi ka hedhur idenë e krijimit të një kinse “Grupi Uniteti” për bisedimet me Serbinë. Kjo jo për t`i funksionalizuar këto bisedime por për të vendosur vetën në qendër të tyre dhe për t`u prezantuar para miqve ndërkombëtarë si i vetmi faktor uniteti në vend. Tashmë lojërave të tij u ka dalur ngjyra. Uniteti nuk ndërtohet duke zhvendosur fuqinë politike te institucionet pa tagër vendimmarrës e ekzekutues”, thuhet tutja.

LDK, këtë takim të Thaçi e konsideron të dëmshme dhe jo legjitime.

“Është Qeveria e Republikës së Kosovës, e mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ajo e cila ndërton platformën, udhëheqë bisedimet eventuale dhe implementon marrëveshjet. Çdo gjë tjetër dhe nga çdo kush tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron të dëmshme, jo legjitime dhe antikushtetuese. Lidhja Demokratike e Kosovës është e përkushtuar që sa më parë, institucionet ekzekutive të vendit të themelohen dhe të marrin përgjegjësitë e veta karshi obligimeve të tyre të brendshme dhe ndërkombëtare”, përfundon LDK.