Arbëri

Kelmendi: Kostoja zgjedhore është humbje më e vogël se pasojat e ngërçit

Descriptive Text

Në pritje të votave, të cilat nuk po vijnë, deputetët individualë dhe as partitë në kuadër të koalicioneve parazgjedhore nuk po lëvizin, meqë programet e tyre politike të prezantuara po e pamundësojnë të ndodhë një gjë e tillë, shkruan deputeti Ramiz Kelmendi në Facebook, transmeton Koha.net.

Së pari për shkak të dinjitetit politik dhe së dyti për shkak të zgjedhjeve lokale që janë afër dhe mundësisë reale të sanksionimit për veprimet politike.

Dihet se PAN-i me kandidatin për kryeparlamentar këmbëngul për Kadri Veselin dhe sipas virtyteve tona, nuk ka asnjë akter njerëzor në kuadër të PDK-së apo PAN-it për ta detyruar apo bindur Veselin të heqë dorë nga kandidatura. Zvarritje deri në pafundësi! Ky është virtyti i kosovarit dhe nga kjo nuk lëvizë asnjë centimetër. E kundërta edhe po të lëshonte rrugë Kadri Veseli atëherë do binte marrëveshja e koalicionit ku në atë rast nuk do kalonte as kandidati për kryeministër z. Ramush Haradinaj. Derivat i kësaj përsëri do ndodhte ngërçi apo edhe krijimi i kushteve për të shkuar në zgjedhje.

Dihet se VV-ja nuk i bashkëngjitet PAN-it për asnjë arsye edhe në qoftë se është me interes kombëtar. Edhe LAA është thellësisht i çimentuar në qëndrimet e veta për të mos mbështetur PDK-në dhe Kadri Veselin në asnjë mënyrë. Edhe ky është virtyt kosovar. Në anën tjetër, është edhe e arsyeshme mosmbështetja, sepse rrethana të tilla janë krijuar nga vetë PDK për një mosbashkëpunim.

Bashkëpunimi LAA dhe VV i mundshëm vetëm nëse në krye të qeverisë vjen kryeministri nga radhët e LDK-së, kjo sepse besimi se VV është properëndimore është tepër i vogël. Duke parë se vendosën vetëm kravatat, në të tjera pozicione nuk kanë lëvizur fare. Andaj edhe koalicioni i cili ndërton qeveri me dyshime si antiperëndimore, nuk mundë të gjejë përkrahjen as tek LAA e as tek pakicat dhe Lista Serbe. Kjo pasqyrë nuk është ndryshe veçse një ngërç politik i krijuar nga koalicionet e shpejta dhe me virtyte kosovare që praktikisht e dëmton edhe imazhin, edhe politikën, edhe ekonominë e Kosovës si dhe shton dyshimet se politika e Kosovë nuk është në gjendje të ngre institucione të lira, por institucione të diktuara.

Duke pasur parasysh këto virtyte dhe implementimin e tyre, është më se e domosdoshme të ndërhyjnë ndërkombëtarët, për t’u dhënë kahe zgjedhjeve më të shpejta dhe me kushtin që të groposen këto virtyte, meqë politikanët duhet të vendosin përpara pjekurinë njerëzore, interesin e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, përfshirë zhvillimin ekonomik të saj. Andaj nga kjo del se humbja më vogël ekonomike është kostoja zgjedhore, e që është shumë herë më e vogël se sa kjo agoni dhe pamundësi e krijimit të institucioneve edhe ashtu të brishta.