Arbëri

Bajrami thotë se sivjet nis zbatimi i kurrikulës së re

Viti i ri shkollor fillon të hënën, më 4 shtator. Ministri në detyrë i Arsimit, Arsim Bajrami, njoftoi kabinetin qeveritar për përgatitjet që janë bërë për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ai tha se ky vit është vit, të cilin e kanë shpallur vit të sigurimit të cilësisë dhe implementimit të kurrikulës së re.

“MASHT ka bërë përgatitjet e nevojshme që të hënën me 4 shtator në gjithë Republikën e Kosovës të fillojë viti shkollor në arsimin parauniversitar. Gjatë kohës së pushimeve në bashkëpunim me drejtoritë komunale të arsimit është bërë renovimi dhe meremetimi i një numri të madh të shkollave. MASHT ka bërë furnizimin e nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë me tekste shkollore falas. Sivjet është risi pasi që kemi vendos që deri në klasën e gjashtë të shpërndajmë tekst, për shkak se nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë kemi përdorur rezervat e viteve paraprake. Dhe tanimë ky proces ka përfunduar dhe të gjitha shkollat janë furnizuar me tekste. Gjatë kohës së pushimeve është bërë trajnimi i një numri të madh të mësimdhënësve, sepse në këtë vit shkollor do të futet në zbatim në të gjitha shkollat publike dhe jo publike, kurrikula e re”, tha Bajrami.