Arbëri

Qeveria shpreson që Kosova të anëtarësohet në Interpol

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni janë shprehur optimist se Kosova do të anëtarësohet në Interpol, ngjarje kjo që do të mbahet më 26 shtator në Pekin.

Mustafa tha se ai ka ftesën që në cilësinë e kryeministrit që të marrë pjesë në Asamblenë e Interpolit, ku në rend dite është paraparë të jetë pranimi i Kosovës në Interpol dhe se ka shpresa që një gjë e tillë do të ndodhë.

“Kemi biseduar dhe me miqtë tanë ndërkombëtar dhe jemi në proces të harmonizimit të aktiviteteve, në mënyrë që të arrijmë këtë anëtarësim. Natyrisht që anëtarësimi nuk varet prej nesh. Sepse ne kemi cilësinë e vëzhguesit atje. Varet dhe prej anëtarëve tjerë dhe asaj se çfarë përkrahje do të kemi. Por vet fakti që nga komiteti ekzekutiv i Interpolit ka hyrë në rend dite anëtarësimi i Kosovës dhe në atë komitet ekzekutiv janë dhe disa vende që nuk e kanë pranuar Republikën e Kosovës na jep shpresa, që kjo do të kapërcej”, tha Mustafa.

Optimist se Kosova do të anëtarësohet në Interpol është edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme.

“Ne na bënë optimist fakti se Komiteti Ekzekutiv, i cili përbëhet nga saktësisht 50-50 vende që na njohin dhe 50 që s’na njohin ka vendosur me unanimitet që ta fus në agjendë aplikacionin e Kosovës. Mbetet të behet punë e madhe, që të kërkohen votat dhe ato saktë qysh e tha kryeministri votat dhe përkrahja kërkohet duke besuar në objektivin që e kemi përcaktuar. Nuk mund të kërkojmë vota nëse nuk besojmë në objektivion që e kemi përcaktuar si shtet. . Askush s’mund të jap garanca së do të ndodh kështu apo ashtu, por nga të gjitha takimet që në kam pasur, më bënë optimist që çështja e anëtarësimit në Interpol do të trajtohet si çështje teknike e bashkëpunimit ndërkombëtar policor për të luftuar krimin ndërkombëtar dhe tej kufitar”, tha Hyseni.