Arbëri

Ramadani: Pavarësisht emrit, FSK mund të bëhet Ushtri

Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, ka komentuar çështjen e shndërrimit të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Ramadani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se pavarësisht emrit që do t’i vihet, FSK-ja mund të shndërrohet në Ushtri.

“Organizata që ka mision ushtarak, është Ushtri. Pavarësisht emrit! Ndryshimi i misionit, detyrave, numrit të pjesëtarëve, armatimit, avancimit në doktrinë mbrojtëse, si dhe elementet tjera të domosdoshme janë jo vetëm të nevojshme, por esenciale për kompletimin e Arkitekturës së Sigurisë Kombëtare”, ka thënë Ramadani, raporton Koha.net.

Ai thotë se për këtë, qoftë me Ligj e qoftë me Kushtetutë, institucionet e Kosovës duhet të bashkërendojnë saktësisht veprimet institucionale me partnerët strategjikë, në rend të parë me SHBA-në dhe me NATO-n.

“Mbështetja e SHBA-së dhe, pastaj edhe NATO-s, për misionin e ri të FSK-së është i domosdoshëm në mënyrë që rruga e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike të mos kontestohet”, ka komentuar eksperti i sigurisë, Burim Ramadani.

Kujtojmë se në ceremoninë e FSK-së të organizuar në nderë të Epopesë së UÇK-së, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se në vend të ndryshimeve kushtetuese, do të iniciojë ndryshime ligjore për ndryshim të mandatit aktual të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka theksuar se autorizimet kushtetuese ia lejojnë një gjë të tillë si Komandant Suprem i kësaj force dhe se në ditët në vijim do të fillojë një nismë të tillë, me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial.

“Nëpërmjet Ligjit të ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë për mision që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, qytetarët dhe komunitetet, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës, si dhe të kontribuojë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global”, ka thënë presidenti Thaçi në hapjen e manifestimit “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Ndërsa po sot, presidenti Thaçi i ka dorëzuar kryeparlamentarit Kadri Veseli draft-ligjin për bërjen e FSK-së Ushtri pa ndryshime kushtetuese.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se iniciativa për kalimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës është e domosdoshme.

Pasi i dorëzoi projektligjin që FSK-në e bën ushtri kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, në një deklaratë për media, Thaçi ka thënë se “Kosova nuk mund ta lë veten në mëshirë të askujt”.

“Ju informoj se para pak çastesh bazuar në kompetencat e mija kushtetuese dhe si komandant suprem i FSK-së i dorëzova kryetarit të Kuvendit, projektligjin që FSK-në e bën ushtri. Kjo iniciativë e imja është e domosdoshme dhe bëhet me qëllim të ruajtjes së sovranitetit territorial dhe bëhet me qëllim të ruajtjes së paqes në Kosovë dhe rajon”, ka thënë Thaçi.

“Ashtu siç është informuar opinioni publik në Kosovë tri vite më parë pata paralajmëruar krijimin e FAK e fatkeqësisht realiteti ka mbetur i njëjtë. Si president do të doja që transformimi të ndodhte ashtu siç jemi përpjekur tash e rri vite përmes një procesi transparent. Por një gjë të tillë nuk kemi arritur sepse deputetët serbë e kanë bërë të qartë se kurrë nuk do të votojnë ndryshimet për t'i bërë Forcat e Armatosura. Kosova nuk mund ta lë fatin e vet në mëshirën e askujt. Për mua më e rëndësishme se simbolika që lidhet me emrin është përmbajtja”, ka shtuar më tej Thaçi.

Thaçi po ashtu ka thënë se ky transformim nuk do të prekë kompetencat e as misionin e KFOR-it.