Arbëri

Sputnjik: Recetë sekrete për Ushtrinë e Kosovës

Beograd, 25 gusht – Krahas negociatave për shumicën parlamentare, në Kuvendin e Kosovës po zhvillohen edhe përgatitjet për transformimin e, siç e quan Sputnjik, Trupave të Mbrojtjes së Kosovës në Ushtri të Kosovës, transmeton Koha.net.

Sipas Sputnjikut, formimi i Ushtrisë së Kosovës do të jetë pika e parë e qeverisë së re dhe e Parlamentit të Prishtinës (Beogradi shmang përdorimin e nocionin zyrtar Kuvendi i Kosovës, gjithnjë me tendencën për të mohuar pavarësinë e Republikës së Kosovës – sqarim ynë).

Sipas burimeve që Sputnjik i quan mirë të informuara, pala shqiptare, para së gjithash partia e Hashim Thaçit, që drejtohet nga Kadri Veseli (PDK) ka siguruar tri nga katër votat e pakicës për votimin e Ligjit për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Tash për tash dy vota janë të sigurta, njëra nga komuniteti boshnjak dhe tjetra nga ai serb, por jo nga Lista Serbe. Për të dy këta deputetë janë rezervuar funksione në Parlamentin e Kosovës posa ky të formohet. Votën e tretë Thaçi e pret nga malazezët, i cili qysh në shkurt ka paralajmëruar se menjëherë pas konstituimit të Kuvendit do të dekretojë njohjen e komunitetit malazez në Kosovë, të cilët në këtë mënyrë do të fitojnë të drejtën për një deputet në Kuvendin e Kosovës.

Pritet që Ligji për Ushtrinë e Kosovës do të jetë në rend të ditës para zgjedhjeve lokale në Kosovë, që janë shpallur të mbahen më 22 tetor të këtij viti.

Përfaqësuesit e malazezëve të Kosovës nuk kanë dashur të flasin për Sputnjikun, në pritje nëse “shqiptarët do të mbajnë fjalën”, shkruan kjo gazetë, transmeton Koha.net.

Por Sputnjik rikujton se NATO dhe bashkësia ndërkombëtare e kanë bërë të qartë se formimi i Ushtrisë së Kosovës nuk mund të ndodhë nëse në Parlament nuk merr mbështetjen e pakicave kombëtare, siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës.