Arbëri

Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor mblidhen nesër në Durrës

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të mbajë të shtunën, në Durrës, një takim informal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, me temë thellimin e integrimit rajonal dhe me fokus në ekonomi dhe tregti.

Në këtë takim do të marrin pjesë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, si dhe komisioneri Johannes Hahn dhe Cyril Muller, zëvendës presidenti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore.

Veprimtaria njëditore do të përbëhet nga sesione të ndryshme pune, gjatë së cilave do të diskutohen tema si tregtia, shërbimet, investimet dhe ekonomia dixhitale. Pritet që Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të diskutojnë më tej dhe të garantojnë angazhim maksimal në nivel të lartë në drejtim të zbatimit të Planit shumëvjeçar të veprimit për zonën ekonomike rajonale për të cilën u ra dakord në Samitin e Triestes.

Gjithashtu, rezultatet e deritanishme të Procesit të Berlinit dhe perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor do të jenë një nga temat e diskutimit.