Arbëri

OAK ankohet në MTI për barrierat që po i shkaktojnë vendet fqinje biznesit

Një delegacion i Odës së Afarizmit të Kosovës i kryesuar nga drejtori i Bordit, Skender Krasniqi dhe drejtori ekzekutiv Ismet Mulaj, janë takuar sot me ministrin në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë Valentin Toçi.

Krasniqi e ka njoftuar ministrin në detyrë për të arriturat e OAK-ut si dhe problemet me të cilat po ballafaqohet biznesi vendor, sidomos për problemet që po i shkaktojnë vendet rajonale.

Krasniqi e bëri me dije ministrin Toçi edhe për sfidat që i ka biznesi për të investuar në Kosovë, sidomos mungesën e infrastrukturës dhe problemet për qasje në energji elektrike.

Ndërsa, drejtori i OAK-ut Ismet Mulaj, përmendi si shqetësim problemet që ka biznesi me Serbinë dhe Maqedoninë.

“Serbia po e bllokon me barriera jo tatimore peshkun e Kosovës, ndërsa Maqedonia po i bllokon produktet me origjinë shtazore”, thuhet në komunikatë.

Ministri në detyrë Valentin Toçi e ka përgëzuar OAK-un për punën që është duke e bërë në të mirë të ndërtimit të një ambienti më të mirë për të bërë biznes në Kosovë dhe i premtoi delegacionit të Odës së Afarizmit se me urgjencë do të merren në trajtimin e rasteve të ngritura.

Po ashtu si shqetësim i përbashkët u përmend marrëveshja e CEFTA-së, e cila biznesit vendor po i krijon shumë problem.