KQZ: Certifikimi i subjekteve politike, deri në fund të gushtit

KQZ: Certifikimi i subjekteve politike, deri në fund të gushtit

23 gusht 2017 15:40

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që deri në fund të këtij muaji të përfundojë procesin e certifikimit të subjekteve politike.

Të gjitha kandidaturat do të shqyrtohen nëse janë në përputhje me ligjet në fuqi, thotë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Në rast të refuzimit, subjekti politik mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Të gjitha kandidaturat e dorëzuara nga subjektet politike në KQZ për zgjedhjet komunale të 22 tetorit do të shqyrtohen nëse janë në përputhje me ligjin. Certifikimi i listave pritet të përfundojë në fund të këtij muaji. Kështu i tha Radio Kosovës zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“ KQZ duke u mbështetur në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe Ligjin për zgjedhjet lokale, deri në fund të këtij muaji do të përmbyllë procesin e certifikimit të subjekteve politike. Zyra për regjistrim të partive politike dhe certifikim do të shqyrtojë të gjitha aplikimet e pranuara, pra, të gjithë kandidatët nëse janë në përputhje me ligjin dhe do t’i paraqesë në KQZ rekomandimet përkatëse për secilin subjekt”, tha Elezi.

Ai pohon se vendimi i KQZ-së do të jetë mbi bazën e rekomandimeve që vijnë nga zyra për regjistrimin e partive.

“Rekomandimi mund të jetë PËR ose KUNDËR certifikimit të listës së kandidatëve. Ndaj vendimit të KQZ-së, në rast se është refuzuar certifikimi i listës së kandidatëve, subjekti politik mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa” , tha Elezi.

Në raste të tilla, zyra, gjatë shqyrtimit të aplikimeve, mund të kërkojë nga subjektet politike të bëjnë korrigjimet apo plotësimet që nevojiten.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme