Arbëri

Haradinaj: Jemi në konsulta me AKR-në

Kandidati për kryeministër nga radhët e PAN-it, Ramush Haradinaj në një konferencë për media sot ka thënë se PAN-i është në konsultime me AKR-në e Behgjet Pacollit për formimin e institucioneve.

Ai është optimist se së shpejti do të gjejnë një zgjidhje për të formuar institucionet, raporton KP.

“Jemi në konsulta, po e them me kujdes me të gjitha palët që janë të interesuara që Kosova të niset me institucionet e vendit, me ne pra që jemi këtu në vend por edhe me AKR-në e Behgjet Pacollit, jemi në konsulta të vazhdueshme. Jemi në drejtim të mirë, pra gjithë ne jemi të vetëdijshëm që formimi i institucioneve, e para zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është e drejtë kushtetuese nuk ka shumë alternativa, është e pamundshme të ndërhyhet në përzgjedhjen, vetëm ata që kanë fituar zgjedhjet kanë të drejt të përzgjedhin. Pra, janë disa aspekte që besoj se do të gjejnë zgjidhje shpejt”, tha Haradinaj.

Për më tepër, Haradinaj tha se po tentojnë që të ketë një qeveri stabile, pasi sipas tij, po të donin qeveri me 61 numra ndoshta sot do të ishin në punë.

“Tani ne jemi në konsulta, këto konsulta nuk po bëhet fjalë vetëm për 61 deputetë, keni parasysh, ndryshe ndoshta ishim në punë sot. Arsyeja është pse po shkojmë në këtë rrugëtim të tillë dhe po marrim kohë është se një qeveri gjithëpërfshirëse, që është e aftë t’iu bëjë ballë temave të vendit është në interes i vendit dhe për këtë jemi kështu sot. Po vërtet shpreh keqardhje për këtë vonesë dhe me vjen keq që po vonohemi dhe nuk besoj që nuk është diçka e mirë për vendin”, u shpreh kreu i AAK-së.

Ndërsa, i pyetur nëse ka bërë ndonjë marrëveshje me Listën Serbe, Haradinaj tha se ende nuk është mandatuar zyrtarisht për të formuar qeverinë dhe se marrëveshja eventuale mund të vijë vetëm pas mandatimit të tij.

Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për nesër me 24 gusht në orën 10:00, me kërkesë të koalicionit PAN, pas takimit konsultativ të mbajtur javën e kaluar me ftesën e kryesuesit të seancës Adem Mikullovci.