Arbëri

Bahtiri: AKR-ja ka marrë vendim të mos bëjë koalicion me PAN-in

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, që vjen nga radhët e AKR-së ka thënë se partia e tij ka marrë vendim që të mos bëjë koalicion me PAN-in.

Përmes një postimi në Facebook ai thotë se vendimi për mos koalicion me PAN-in është marrë mbrëmë, transmeton Koha.net. Ndërsa ka konfirmuar se do të rikandidojë për kryetar të Mitrovicës.

Postimin e tij të plotë mund ta lexoni më poshtë:

Dje mediat kishin shkruar se unë nuk do të rikandidoj për kryetar të Mitrovicës, por pasi që isha në ceremoninë e varrimit të Bajram Rexhepit, e kam pasur telefonin mbyllur dhe nuk kam mundur t’iu përgjigjem thirrjeve të mediave dhe të qytetarëve, për shqetësimet e të cilëve më vjen jashtëzakonisht keq.

Po ashtu edhe familja ime ishte shqetësuar shumë, të cilët pastaj edhe bënë një apel publik që të rikandidoj. Unë i garantoj qytetarët e Mitrovicës se do të jem çdoherë me ta dhe do të punoj për ta. Pra, unë do të rikandidoj prapë për kryetar të Mitrovicës, ku fitorja do të jetë e pakontestueshme, duke pasur parasysh punët që i kemi bërë së bashku me qytetarët dhe ekipin më të cilin i hyj kësaj gare.

Pjesë e ekipit tim do të jenë njerëzit më të devotshëm që vijnë nga gjiri i popullit, ku sot do ta prezantoj listën me 38 kandidatët e AKR-së për asamble komunale, të cilët janë njerëzit me të denjë të Mitrovicës për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve.

Gjithashtu, ju informoj se AKR-ja mbrëmë ka marrë vendin që mos të bëjë koalicion me PAN-in.