Arbëri

KTV mëson emrat e kandidatëve për kryetar komunash, edhe për kryeqytetin

Kanë mbetur edhe pak orë deri në përfundim të afatit zyrtar për certifikimin e emrave për kandidatë për kryetarë komunash e Asamble komunale, por partitë e mëdha duket se do të presin momentet e fundit që listat t’i dorëzojnë në KQZ, raporton KTV.

Janë disa parti e kandidatë të pavarur për kryetarë komunash e për Asamble, por deri në orët e pasdites në KQZ nuk kanë shkuar listat edhe nga partitë e mëdha.

Gara më e madhe pritet të bëhet në Prishtinë, ku deri tash emrat zyrtarë janë Shpend Ahmeti nga Vetëvendosje, Arban Abrashi nga LDK-ja, Lirak Çelaj nga PDK-ja e Arbër Vllahiu nga AAK-ja.

Derisa për Prishtinën PDK-ja ka tashmë emrin e kandidatit, kjo nuk do të ndodhë edhe për Skenderajn. Kryesia e PDK-së pritet të vendosë përfundimisht që në Skenderaj të mos ketë kandidat, por ata ta mbështesin kandidatin e pavarur Bekim Jasharin.

Në garë nga PDK-ja për Prizrenin do të jetë Shaqir Totaj, e përballë tij nga LDK-ja do të jetë Hatim Baxhaku, nga AAK-ja Lulzim Kabashi. Edhe në Gjakovë pritet të jetë garë e fortë.

Aty do të rikandidojë kryetarja e deritashme Mimoza Kusari-Lila me Alternativën, ndërkohë kundërkandidat do t’i ketë Ardian Gjinin e AAK-së e Driton Çaushin e Vetëvendosjes, Artan Nimanin e PDK-së e Bekim Ermenin e LDK-së.

Në Pejë LDK-ja do të tentojë ta mbajë komunën me Gazmend Muhaxherin derisa AAK-ja synon ta kthejë këtë komunë me Fatmir Gashin. AAK-ja tashmë e ka të gatshme Listën me të gjithë emrat e kandidatëve për kryetarë.

Në garë për kryetar sipas listës së AAK-së nuk do të jenë në Skenderaj, Shtime, Novobërdë e Han të Elezit.

Pakënaqësi në PDK ka pasur edhe për Drenasin dhe mbetet të shihet nëse kandidati i tyre sërish do të jetë Ramiz Lladrovci, derisa nga Nisma do të garojë Isa Xhemajlaj. Por, të gjithë emrat pritet të zyrtarizohen deri në orën 24:00 kur do të jetë koha e fundit për dorëzimin e emrave në KQZ. Njësoj pati ndodhur edhe me zgjedhjet e përgjithshme kur partitë kishin pritur momentin e fundit për t’i dorëzuar ato.

Pikërisht dhe përfundimi i afatit ka ndezur motorët e partive politike për të përmbyllur edhe borxhet në PZAP. Ndërkohë, të gjithë kandidatët si për kryetarë komunash, ashtu edhe për Asamble komunale, që janë nëpunës publikë, nuk do të marrin pagë nga buxheti i shtetit deri në certifikimin e rezultatit përfundimtar nga KQZ-ja.

Nëse ata duan të tërhiqen nga gara, atëherë këtë mund ta bëjnë dy ditë para hedhjes së shortit nga KQZ-ja për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim dhe jo më vonë.