Arbëri

Aksion në Bujanoc, Lutfiu u bën thirrje ndërkombëtarëve: Shqiptarët në Serbi po diskriminohen

Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme serbe që ta respektojë Kushtetutën.

Përmes një aksioni simbolik para stacionit policor në Bujanoc, kryetari i këshillit, Nevzad Lutfiu, ka kërkuar që të merret parasysh çka thotë Kushtetuta për punësimin e pakicave.

"’Respektojeni kushtetutën’ ishte thirrja që i bëmë sot Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Neni 77 i Kushtetutës së Republikës së Serbisë thotë: ‘Lidhur me punësimin në organet shtetërore, në ndërmarrjet publike, organet e krahinës, vetëqeverisjes lokale duhet të kihet parasysh përbërja nacionale dhe përfaqësimi proporcional i pakicave nacionale’, ka shkruar ai.

Lutfiu ka shtuar se numri i policëve shqiptarë është tejet i vogël, madje se shumë prej tyre në Bujanoc janë afër pensionimit.

“As edhe një polic i pranuar në vitet e fundit nga komuniteti shqiptar. I bëjmë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që ta kenë vëmendjen tek gjendja e shqiptarëve në Serbi, sepse diskriminimini ka prekur kufijtë e racizmit”, ka theksuar Lutfiu.