Arbëri

Pacientët me pak njohuri për të drejtat e tyre

Në Kosovë, ndonëse pacientëve u shkelen të drejtat e tyre, shumë nga ta nuk kanë njohuri se ata mbrohen me ligj. Dhe, kjo shkelje bën që profesionistët shëndetësorë, t’i përsërisin shkeljet në mungesë ndëshkimi. Kjo ka dalë sipas një hulumtimi të bërë nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve e Kosovës.

Besim Kodra, udhëheqës i kësaj shoqate, tha për Radion Evropa e Lirë se Ministria e Shëndetësisë asnjëherë nuk ka bërë fushata vetëdijësuese, për t’i njoftuar pacientët me të drejtat që i kanë, si dhe për të rritur transparencën brenda institucioneve publike shëndetësore.

“Në bazë të disa hulumtimeve që ne i kemi bërë, pacientët kanë shumë pak njohuri për të drejtat e tyre që kanë në institucione publike shëndetësore, andaj edhe brenda institucioneve jo rrallë shkelen të drejtat e pacientëve. Është edhe një vërejtje e madhe për Ministrinë e Shëndetësisë që nuk i promovon të drejtat e pacientëve përmes fushatave vetëdijësuese , duke mbrojtur të drejtat e pacientëve dhe duke rritur transparencën e institucioneve publike shëndetësore”.

“Ne marrim ankesa të vazhdueshme nga pacientët në dy zyre që ne i kemi, por masat ndëshkuese për stafin janë të ulëta, dhe kjo nuk e përmirëson trajtimin e pacientëve në institucione publike, përkundrazi i mbulon ata t’i përsërisin shkeljet e tyre”, deklaroi Kodra.

Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në lidhje me atë se sa kanë njohuri si pacientë për të drejtat e tyre, ka rezultuar se ata nuk dinë dhe nuk kanë dëgjuar se kanë të drejtë ankese në ndonjë adresë të caktuar për shkelje të drejtash.

Luljeta Sadiku, 24-vjeçare, e cila studion Ekonominë në Universitetin e Prishtinës, tha të mos ketë dëgjuar për të drejtat e pacientëve që mbrohen me ligj.

“Mendoj se nuk respektohen të drejtat e pacientëve, e sa për atë se mbrohen me ligj, unë nuk kam dëgjuar. Por, duke e marrë parasysh trajtimin që iu bëhet shpeshherë pacientëve, mendoj se shërbimet cilësore janë nën nivel. Ndoshta këtu nuk kanë faj vetëm mjekët, por edhe në përgjithësi sistemi i mangët, me shumë boshllëqe mendoj se i bën pacientët të ndihen jo komod”, tha Luljeta.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërkaq, thanë se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, përmes linjës falas për qytetarë, që kanë të drejtë ankese, kanë pranuar rreth 60 ankesa të natyrave të ndryshme. Lulzim Hoti, zyrtar për informim në këtë ministri, jep më shumë hollësi:

“Linja falas është themeluar në vitin 2013 dhe është falas për qytetarët 24 orë. Ajo pranon ankesa dhe i procedon ato. Gjatë këtij viti, në gjashtë mujorin e parë kemi proceduar 60 ankesa dhe 90 për qind tashmë janë proceduar. Kryesisht, ankesat kanë qenë rreth mungesës së mjekut në vendin e punës, pastaj referimi i pacientëve në ordinanca private të caktuara, përdorimi i barnave pa banderola e të tjera”.

Ndonëse institucionet publike shëndetësore janë të obliguara me Ligjin për Shëndetësi që t’i vendosin në hapësira spitalore kartat e të drejtave të pacientëve, këta të fundit duket se nuk i kanë vërejtur, bazuar në hulumtimet e bëra për njohurit rreth të drejtave të tyre.